Protestuesit – Valbon Krasniqit: Ose bashkohu në protestë ose liroje hapësirën

  • E.K /
  • 30 September 2020 - 10:49
Protestuesit – Valbon Krasniqit: Ose bashkohu në protestë ose liroje hapësirën

Të pakënaqur me listat e shtesave prej 300 eurove të ndara nga Qeveria e Kosovës për rrezikshmëri po ndihen dhjetëra punonjës shëndetësorë, të cilët janë të punësuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

Por para fillimit të saj, ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka kërkuar nga protestuesit, pra nga punonjësit shëndetësorë që të vazhdojnë punën e tyre dhe se nuk është momenti që të mbahen protesta. Por zyrtarët shëndetësorë janë shprehur të bindur që protestat do të vazhdojnë derisa të realizohen kërkesat e tyre.

Ata madje i kanë kërkuar Krasniqit që t’i bashkohet protestës.

“Ju e dini që Kosova ka përjetua ditë të vështira sa i përket menaxhimit të pandemisë. Ju lutem që së paku të mbani distancë sepse jemi shumë grumbull. Dje kam pasë takime me disa përfaqësues të sektorëve që për momentin janë jashtë listës. Ne si menaxhment jemi në bashkëpunim që t’i shqyrtojmë mundësitë që të gjithë punonjësit të përfshihen në pagesën e 100 eurove. Ne kemi vlerësuar rolin e të gjithë punonjësve shëndetësorë. Unë edhe dje e kam sqaruar se këto protesta në këto momente janë të panevojshme sepse ne jemi të bindur që të gjithë punonjësit të marrin pagën e 300 eurove. Unë pres që Qeveria të reflektojë për këto vonesa. Ju siguroj që nuk do të ndalemi derisa të sigurohemi që të gjithë punonjësit të marrin të drejtat e tyre”, ka deklaruar Valbon Krasniqi.

Por nga punonjësit shëndetësor kanë deklaruar se po ndihen të diskriminuar nga menaxhmenti i SHSKUK’së dhe Ministria e Shëndetësisë. Madje punonjësi shëndetësor, Fatmir Gjoshi i ka kërkuar U.D të SHSKUK’së, Valbon Krasniqit që t’u bashkohet në protestë ose ta lirojë hapësirën.

“Nëse do të na bashkëngjitësh në protestë, urdhëro. Nëse jo lirojeni hapësirën. Ne çdo ditë kemi qenë të rrezikuar dhe ende jemi në përballje me Covid 19. Jemi këtu për të shprehur pakënaqësinë lidhur me diskriminimin që po e bën menaxhmenti. Na trajtoni barabartë. Faleminderit të gjithëve që keni qenë të guximshëm”, ka deklaruar Fatmir Gjoshi.

E në pëotestë po marrin pjesë dhjetëra punëtorë nga administrata, recepsionistët, vozitësit e autoambulancave, sigurimi, shërbyesit e ushqimit, bocmenët, shërbimet teknike, si dhe ata të pastrimit.

(Kosova Sot Online)