Kurdisja e prapaskenave politike nga Isa Mustafa, Koalicioni LDK-PDK opsion i vetëm për ta vazhduar kapjen e shtetit nga mafio politika

Kurdisja e prapaskenave politike nga Isa Mustafa, Koalicioni LDK-PDK opsion i vetëm për ta vazhduar kapjen e shtetit nga mafio politika

Gani Qarri

  • 30 September 2020 - 07:33

Shkruan: Gani Qarri

Lajmi për heqjen e vijave të kuqe nga LDK në raport të bashkëpunimit me PDK-në, është paralajmërim serioz për përgatitjen e hershme të koalicionit të ardhshëm mes këtyre dy subjekteve politike, qoftë me riformatim të Qeverisë aktuale për shkak të bllokimit të tanishëm të vendimmarrjes në Kuvend, apo për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, nëse nuk arrihet një marrëveshje paraprake e zhbllokimit të situatës së krizës në të cilën po futet përditë e më tepër koalicioni LDK-AAK-NISMA.

-Pas arrestimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, zyrtari parë shtetërorë dhe politikani i vetëm në vend i cili doli hapur dhe mbështeti publikisht aksionet e EULEX-i dhe veprimet e Gjykatës Speciale për prangosjet e ditëve të fundit që kanë shënuar edhe rezultatet e para praktike të punës mbi pesëvjeçare të Dhomave të Specializuara të Kosovës me Seli në Hagë, është Avdullah Hoti, i cili acaroi jo pak anëtarësinë e PDK-s dhe mbështetësit e saj nga radhët e OVL-së. Ndërsa në anën tjetër në përpjekje për baraspeshimin e rëndimit të zhvillimeve aktuale, jugo komunisti Isa Mustafa, i cili posedon informata më të sakta se së shpejti mund të arrestohen edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli, duke ditur se pas ekstradimit të tyre, PDK nuk do të jetë më ajo që ishte dhe shpresën se tani PDK mund të kthehet në filiale të LDK-s, që do të përmbushte nevojat e LDK-s, për krijimin e koalicioneve të ardhshme qeverisëse, u ngut që me strategjinë e tij sllavo komuniste të kalkulimeve "gjithmonë" përfituese politike ti shfrytëzoi arrestimet e Gjykatës Speciale, për të shpallur "pezullimin" e vijave të kuqe ndaj PDK-së.

Madje Mustafa as këtë akt nuk e bëri aq fort, për të zbutur njëmendë dhembjet e zemrave të vrara të anëtarësisë dhe mbështetësve të PDK-s, nga radhët e OVL, por për largimin e PDK-s, nga afria me LVV-n e Albin Kurtit, të cilën e sheh si rrezikun më të madh për rrëzimin e Hotit nga pushteti dhe minimin e avantazhit të VV-s, në rezultatet e zgjedhjeve të reja të cilat po trokasin në derë, me qëllim të lënies sa më të vetmuar LVV-n, në përllogaritjet e studiuara mirë të tij strategjike, për krijimin e koalicioneve të ardhshme qeverisëse në interes të partisë së LDK-s, edhe në rast të zgjedhjeve të reja në vend. Këtë ndryshim qëndrimi të LDK-së në raport me PDK-në e ka bërë publik vetë kryetari Isa Mustafa i cili deklaroi se ndonëse nuk është biseduar për një qeveri gjithëpërfshirëse, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka hequr të gjitha vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke tentuar që ta largojë PDK-n, nga afrimi i mundshëm me LVV-n, e Albin Kurtit, me vendimin për heqjen e vijave të kuqe jo vetëm në situatën e tanishme por edhe në zgjedhjet e ardhshme.

E gjitha kjo sipas arsyetimit të tij, për shkak të gjendjes së krijuar në të cilën me izolime dhe ndalesa bashkëpunimi me subjekte të caktuara politike, është shumë vështirë të bëhet zgjidhje, sidomos tani kur dhe është bërë paralajmërimi i aktakuzave kundër Hashim Thaçit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, që na sjellë në një situatë të rëndë ku ne duhet më shumë të mendojmë për interesa të vendit sesa të lidhemi vetëm për interesa partiake. Ndaj ky publikim i papritur i ndryshimit të qëndrimit të LDK-së në raport me PDK-në, është treguesi më i mirë që po e zbulon lakuriq edhe qëllimin e skenarit të Mustafës për prishjen e koalicionit me LVV-n, i cili nuk arriti të mbijeton as dy muaj të plotë në bashkëqeverisje, veprime të cilat Isa mundohet ti shes edhe si akte patriotike, kinse në situatën e rëndë ne duhet të mendojmë më shumë për interesa të vendit se sa për interesa partiake, e që në fakt pikërisht në favor të kësaj të fundit vjen edhe heqja e vijave të kuqe ndaj PDK-s, të cilën pas largimit të Thaçit dhe Kadri Veselit ai do të dëshironte ta kishte filiale të LDK-s, sidomos pas paralajmërimeve të largimit të zonjës Osmani dhe kërcënimeve për ndarjen e partisë së tij.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".