Pas 16 muajve bllokadë, Belgjika më në fund bëhet me qeveri të re

  • E.K /
  • 30 September 2020 - 10:58
Pas 16 muajve bllokadë, Belgjika më në fund bëhet me qeveri të re

Belgjika pritet të bëhet me qeveri të mërkurën, 16 muaj pas zgjedhjeve parlamentare, pasi mbreti belg pritet ta emërojë kryeministër ministrin në detyrë për Financa, Alexander De Croo.

Pas disa javëve të bisedimeve, shtatë parti u pajtuan të formojnë një koalicion qeveritar për ta zëvendësuar qeverinë në detyrë të zonjës Sophie Wilmes, e cila e udhëhoqi vendin gjatë gjashtë muajve të pandemisë.

Belgjika ka një ndër shkallët më të larta të vdekshmërisë nga Covid-19 për 100,000 banorë. Shifra e përgjithshme e viktimave të pandemisë ka shkuar në mbi 10,000.

Duke cituar burime anonime, gazetat belge, përfshirë të përditshmen “Le Soir”, raportuan se De Croo është caktuar që ta udhëheqë qeverinë e re, shkruan Reuters.

Belgjika është drejtuar nga një qeveri në detyrë që nga fillimi i pandemisë në mars dhe pa një qeveri të plotë që nga dhjetori i vitit 2018, kur u prish një koalicion i përbërë nga katër parti politike.

(Kosova Sot Online)