Daçiq: Apostolova alarmoi shtetet e BE’së se po pengohej puna e Speciales

  • E. /
  • 01 October 2020 - 11:15
Daçiq: Apostolova alarmoi shtetet e BE’së se po pengohej puna e Speciales

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Dacic, ka thënë se Natalya Apostolova gjatë kohës sa kishte qenë në krye të Zyrës së BE’së në Prishtinë kishte alarmuar shtetet e Bashkimit Evropian se në Kosovë po bëheshin përpjekje për pengimin e punës së Gjykatë Speciale.

Dacic tutje ka thënë se Apostolova kishte folur me evropianët për ‘probleme të mëdha’, thuhet në komunikatën e partisë së Dacic.

Tutje kryediplomati serb ka folur edhe për publikimin e propozim aktakuzës për presidentin, Hashim Thaçi.

Sipas tij është e sigurt se një gjë e tillë nuk është bërë nga evropianët, dhe ka rikujtuar faktin se në krye të Prokurorisë Speciale është një amerikan.

Dacic ka potencuar se amerikanët nuk do të mund të lejonin që marrëveshjen për normalizim ekonomik ta nënshkruante një person i cili “do të arrestohej së shpejti”.

Prokuroria Speciale e Hagës kishte lëshuar një njoftim për media ku kishte njoftuar për propozim aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Në fund të komunikatës ishte theksuar se Thaçi dhe Veseli kishin bërë përpjekje për pengimin e punës së Gjykatës Speciale.

(Kosova Sot Online)