Trump letër Ramës, e falënderon për mbështetjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, i kërkon zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem

  • E.K /
  • 02 October 2020 - 08:36
Trump letër Ramës, e falënderon për mbështetjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi, i kërkon zhvendosjen e ambasadës në Jeruzalem

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump i ka shkruar letër falënderimi kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Trump e ka falënderuar Ramën për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë dhe për marrëveshjen ekonomike në mes të Serbisë dhe Kosovës.

Tutje Trump e ka inkurajuar Ramën që të hapin ambasadën e tyre në Jeruzalem.

“Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem”, ka shkruar Trump.

Njoftimi i plotë:

MIRËMËNGJES 

dhe me këtë letër që mora mbrëmë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, ju uroj një ditë të mbarë

I dashur Z. Kryeministër:

Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju falënderoj juve për lidershipin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit dhe nëpër Europë, për ekspozimin e ndikimit malinj të Kinës, abuzimet me të drejtat e njeriut dhe praktikat grabitqare të huazimit. Mbështetja juaj e hapur për rrjetet e sigurta të telekomunikacionit po jep një shembull të fortë dhe shpresoj që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria të mund të nënshkruajnë së shpejti një Memorandum Mirëkuptimi mbi sigurinë 5G, i cili hap rrugën që edhe vendet e tjera në Ballkan të bëjnë të njëjtën gjë. Jam gjithashtu i kënaqur nga roli i fortë i Shqipërisë në Nismën e Tre Deteve – një alternativë transparente, e bazuar në treg dhe e drejtë, e formatit Kina 17 + 1 prej të cilit unë ju nxis të dilni. 

Unë dua t’ju falënderoj që e keni mbështetur normalizimin ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës dhe për mbështetjen tuaj të fuqishme të Marrëveshjeve të Abrahamit, hapi më domethënës drejt paqes në Lindjen e Mesme për këtë gjeneratë. Ju inkurajoj që t’u bashkoheni Shteteve të Bashkuara dhe të tjera kombeve evropiane në zhvendosjen e ambasadës suaj në Jeruzalem. 

Sinqerisht.

(Kosova Sot Online)