Prokuroria jep detaje për aksionin e djeshëm në Karaçevë, numri i të arrestuarve ka shkuar në 61 persona

  • E.K /
  • 02 October 2020 - 10:33
Prokuroria jep detaje për aksionin e djeshëm në Karaçevë, numri i të arrestuarve ka shkuar në 61 persona

Prokuroria e Shtetit ka dhënë detaje për aksionin e djeshëm në Karaçevë dhe në disa rajone të tjera. Sipas prokurorisë dje janë arrestuar 24 persona, duke çuar në total numrin e të arrestuarve në 61 persona.

 “Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, ju njoftojnë se si rezultat i aksionit të zhvilluar dje në rajone të ndryshme të Kosovës, përfshirë Gjilanin, Ferizajn, Prizrenin, Podujevën, Pejën, Suharekën dhe Vitinë, i cili ka qenë vazhdimësi e aksionit të Karaçevës, janë arrestuar edhe dy persona, të cilët dyshohen se janë përfshirë në veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ndaj tyre, me urdhër të prokurorit është lëshuar aktvendim mbi ndalim në kohëzgjatje prej 48 orëve.

Gjatë operacionit të djeshëm, ku fillimisht ishin ndaluar 22 persona, deri më tani janë ndaluar 24 persona të dyshuar, ndërsa, numri i personave të ndaluar që nga fillimi i këtij aksioni ka shkuar në 61.

Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ku për informacione shtesë do të vazhdojmë t’ju mbajmë të informuar.

(Kosova Sot Online)