Rama e quan “shaka” deklaratën e Vulinit për marrëveshjet Kosovë-Shqipëri

  • E.K /
  • 03 October 2020 - 16:54
Rama e quan “shaka” deklaratën e Vulinit për marrëveshjet Kosovë-Shqipëri

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Aleksandar Vulin, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes së arritur të premten mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku thuhet se Porti i Durrësit do t’i takojë Kosovës.

Ai, duke iu drejtuar shqiptarëve me termin pezhorativ dhe nëncmues “shiptari”, ka thënë se kryeministri Edi Rama po vazhdon me përpjekjet e tij për të krijuar një “Shqipëri të Madhe”.

“Si gjithmonë, Bashkimi Evropian nuk do të deklarohet as për këtë gjë. Kjo është përsëritje e një gënjeshtre të ‘Shqipërisë së Madhe’, kinse vjen në formë të natyrshme, ndërsa bashkimi i serbëve në një shtet është kërcënim për paqen”, thuhet në deklaratën e ministrit Vulin, të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë.

Vulin ka shtuar se vetëm serbët e bashkuar mund ta ndalojnë formimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar përmes një postimi në Twitter, duke iu drejtuar presidentit serb Aleksandar Vuciq me fjalët “shpresoj se kjo është një shaka dhe se kjo mënyrë e të menduarit duhet të dënohet”.

“A është kjo e vërtetë apo është një meme (shaka) që tallet me trurin e kulluar dhe gojën e ndyrë që e mbajti të gjithë rajonin tonë në errësirë për shekuj? Unë uroj shumë që të jetë një meme, përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë që duhet ta dënoni pa asnjë dyshim!”, tha Rama.

(Kosova Sot Online)