ShBA-ja e Rusia zhvillojnë në Finlandë bisedime për kontrollin e armëve bërthamore

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 09:39
ShBA-ja e Rusia zhvillojnë në Finlandë bisedime për kontrollin e armëve bërthamore

Negociatorët nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë takuar në kryeqytetin finlandez, Helsinki, për të zhvilluar një rund të ri bisedimesh rreth kontrollit të armëve pasi paktit të vetëm mes dy fuqive bërthamore do t’i dalë afati në fillim të vitit të ardhshëm.

Takimi i së hënës në Finlandë u udhëhoq nga Marshall Billingslea, i dërguar special i presidentit amerikan për kontrollin e armëve, dhe Sergei Ryabkov, zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë.

“Palët i këmbyen pikëpamjet për gjendjen e tanishme dhe planet e mëtutjeshme për bashkëpunim dypalësh në fushën e kontrollit të armëve”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë, pa dhënë hollësi të tjera në lidhje me këto bisedime.

Dy fuqitë botërore po diskutojnë për të ardhmen e traktatit të ri “Start”, afati i të cilit përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm, nëse palët nuk pajtohen për zgjatjen e këtij afati për pesë vjet shtesë, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Gjatë verës u zhvilluan disa runde bisedimesh për këtë çështje, por palët nuk arritën ndonjë marrëveshje për vazhdimin e afatit të traktatit.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se duan që në traktatin e ri për kontrollin e armëve bërthamore të përfshihen të gjitha llojet e kokave bërthamore, masa më të rrepta për vërtetim dhe transparencë si dhe përfshirje të Kinës në traktat, gjë që është kundërshtuar nga Pekini.

Në anën tjetër, Rusia ka thënë se është e gatshme për zgjatjen e afatit të traktatit “Start” pa parakushte dhe ka paralajmëruar se nuk ka kohë të mjaftueshme për bisedime rreth një traktati të ndërlikuar.

(Kosova Sot Online)