Haradinaj-Stublla: Gjendja e shqiptarëve në Serbi është alarmante

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 15:55
Haradinaj-Stublla: Gjendja e shqiptarëve në Serbi është alarmante

Gjendja e shqiptarëve në Serbi është alarmante, kështu ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ministrja përmes një postimi në Facebook tha se shqiptarët në Serbi po diskriminohen në baza etnike, po u cungohen të drejtat, jeta dhe perspektiva e së ardhmes.

Haradinaj-Stublla sot u takua me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ku kanë biseduar për modalitetet rreth angazhimeve të dy qeverive për fondin e përbashkët në mbështetje të shqiptarëve në Serbi.

“Do të përkrahë projekte të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe komunave në fushën e arsimit, aftësimit profesional, trashëgimisë kulturore dhe nxitjes shkencore, dhe funksionalizimit të Zyrës për Luginën në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, tha Haradinaj-Stublla.

Ajo tha se kërkesa legjitime për ndaljen e fushatës sistematike të depopullimit përmes pasivizimit të adresave në Medvegjë duhet të ngritet deri në nivelin më të lartë ndërkombëtar. 

(Kosova Sot Online)