Banka Botërore jep një lajm të keq për ekonominë e Kosovës

  • E.K /
  • 07 October 2020 - 15:18
Banka Botërore jep një lajm të keq për ekonominë e Kosovës

Ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 8.8% gjatë këtij viti. Kështu ka paralajmëruar Banka Botërore përmes raportit të publikuar sot për ekonominë në Evropë dhe në Azinë Qendrore.

Në raportin e Bankës Botërore theksohet se pandemia ka shkaktuar rënie në eksportin e shërbimeve dhe zvogëlim të investimeve dhe konsumit.

“Qeveria është përgjigjur shpejtë duke siguruar përkrahje për firmat dhe punëtorët, megjithatë punësimi pritet të ulet ndërsa varfëria të rritet. Remitencat në rritje pritet të zbusin ndikimin e tkurrjes ekonomike. Rimëkëmbja pritet të jetë më e ngadalshme se sa është parashikuar më herët, meqenëse pandemia po zgjat më shumë se sa pritej, duke penguar kështu rritjen ekonomike në vitin 2021”, thuhet në raport.

Tutje përmendet se si një ekonomi kryesisht e bazuar në shërbime, Kosova ishte veçanërisht e ndjeshme ndaj COVID-19.

“Për të zbutur ndikimin e recesionit, qeveria duhet të vazhdojë të investojë në menaxhimin efektiv të shëndetit të shkaktuar pandemia”, theksohet në raport.

(Kosova Sot Online)