Pas trajtimit që mori Trumpi, shtohen kërkesat për terapinë e Regeneronit me antitrupa

  • S.A /
  • 08 October 2020 - 08:52
Pas trajtimit që mori Trumpi, shtohen kërkesat për terapinë e Regeneronit me antitrupa

Pacientët me koronavirus po kërkojnë që të bëhen pjesë e testimit klinik të një terapie me antitrupa pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u trajtua javën e kaluar me një terapi eksperimentale të kompanisë “Regeneron Pharmaceuticals Inc”.

Të mërkurën, kreu i Shtëpisë së Bardhë premtoi se këtë terapi do ta bëjë falas për amerikanët dhe tha se ajo sjell përfitime, shkruan Reuters.

Sidoqoftë, ekspertët mjekësorë thanë se nevojiten më shumë të dhëna për ta vlerësuar efikasitetin e kësaj terapia para se të lejohet përdorimi më i gjerë i saj.

Trumpi u lirua nga spitali të hënën në mbrëmje, vetëm pak ditë pasi u diagnostikua me Covid-19, sëmundje që i shkaktoi inflamacion të mjaftueshëm të mushkërive për t’ia ulur nivelin e oksigjenit në gjak.

Sipas mjekut të tij, në testet e gjakut që iu bënë presidentit të hënën u vërejtën antitrupa që e luftonin infeksionin, për të cilët një zëdhënës i kompanisë “Regeneron” tha se mund ta kenë prejardhje nga trajtimi i ri.

Kjo kompani tha të mërkurën se ka dorëzuar një kërkesë në Administratën e Ushqimit dhe Ilaçeve për autorizim rreth përdorimit urgjent të kësaj terapie me antitrupa.

(Kosova Sot Online )