Rrugëtimi i vetëm i Vjosa Osmanit jashtë LDK’së

  • E.K /
  • 08 October 2020 - 13:42
Rrugëtimi i vetëm i Vjosa Osmanit jashtë LDK’së

Përqafimet që ishin bërë si rezultat i “gëzimit” pas kandidimit për kryeministre, Vjosa Osmanit nuk iu gjetën afër kur vendosi që të vazhdojë jashtë këtij subjekti e vetme. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, pos, Haxhi Avdylit që nuk ishte pjesë e ndonjërit nga organet kryesore të këtij subjekti, askush nuk e ka pranuar se do t’i bashkohet në iniciativën qytetare. Deri më tani Vjosa rrugëton e vetme…

Përjashtimi i Vjosa Osmanit nga LDK’ja e ka lënë kryeparlamentaren Vjosa Osmanin të vetme në një rrugë pa ish’kolegët e partisë, me disa prej të cilëve në vazhdimësi kishte folur për marrëdhëniet e shkëlqyera.

Deri më tani veç deputeti Haxhi Avdyli e ka pranuar publikisht se do të jetë në krah të Osmanit nëse kjo e fundit vazhdon një rrugëtim të ri politik jashtë LDK’së.

Ani pse në publik kanë dalë disa emra të cilët po përfolen si të mundshëm për t’iu bashkuar kryeparlamentares, të gjithë nga ta e kanë mohuar mundësinë e bashkëpunimit jashtë LDK’së.

Një gjë të tillë e ka thënë mbrëmë edhe nënkryetari i LDK’së, Anton Quni gjatë intervistës. Quni që njihet si një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Osmanit tha se ka raporte të mira me kryetaren e Kuvendit, mirëpo, edhe pse i kanë raportet në nivel miqësor, nuk do të pranonte asnjë ofertë për karrierë politike jashtë LDK’së.

“Raportet e mia miqësore janë shumë në nivel me zonjën Vjosa Osmani. Me Osmanin njihemi që në kohën kur punonim bashkë në kabinetin e Sejdiut. Që atëherë kam ndërtuar një respekt për zonjën Osmani. Kjo nuk do të thotë që respekti im shkon aq larg, sa që unë të shkoj pas saj, nëse ajo mendon të krijojë ndonjë iniciativë jashtë LDK-së. Karriera ime politike fillon dhe mbaron në LDK. Edhe po të mbetem jashtë skenës politike, unë nuk do të pranoj çfarëdo oferte jashtë LDK-së”, shtoi Quni.

Se nuk do të shkojë me Osmanin në iniciativën e re duke e lënë LDK’në ka deklaruar edhe ish’ministri Lumir Abdixhiku kur ishte bërë temë çështja e emrave që potencialisht mund t’i merrte me vete Osmani.

“Nuk e di pse po bëhet temë largimi im nga LDK. Nuk ka qenë, s’është dhe s’do të jetë asnjëherë alternativë e imja”, kishte deklaruar Lumir Abdixhiku për  Express.

Përveç Qunit e Abdixhikut, Vjosa Osmanin e kanë refuzuar edhe dy deputetët që kishin qenë së bashku me të disa herë kundër vendimeve të marra nga LDK’ja.

Fatmir Rexhepi e Ardian Shala kanë konfirmuar se nuk do të dalin jashtë LDK’së për t’iu bashkuar iniciativës qytetare.

”Unë jam anëtar i organeve të LDK’së dhe jam LDK, nuk kam biseduar lidhur me këtë çështje me znj. Vjosa Osmani dhe nuk i përgjigjem gjërave spekulative”, kishte thënë për Expessin deputeti Rexhepi.

Në të njëjtën frymë kishte folur edhe deputeti dhe kryetari i degës së LDK’së në Suharekë, Ardian Shala që mohoi zërat se do ta braktisë LDK’në.

“As që kemi biseduar  me Vjosa Osmanin për këtë çështje, unë jam kryetar i degës së LDK’së në Suharekë dhe nuk kam ndonjë mendim tjetër, dhe patjetër që do të vazhdoj të mbetem në LDK”, kishte thënë Shala për Express.

Në debatin me Osmanin që është rindezur në tone më të ashpëra ditëve të fundit ka qëndruar më së shumti neutral nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri.

Ai që për një kohë u përfol si bashkëpunim i mundshëm me Osmanin jashtë LDK’së i hodhi poshtë zërat duke kujtuar se “beson” vetëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, siç ishte edhe slogani i këtij subjekti në zgjedhjet e gjashtë tetorit.

Pos anëtarëve të LDK’së, në media janë përfolur edhe disa emra si bashkëpunëtor të mundshëm të Osmanit.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ish’deputeti Dardan Sejdiu e disa të tjerë e kanë mohuar bashkëpunimin e mundshëm me Osmanin, duke reaguar pas publikimit të emrave të tyre në media.

Ditëve të fundit debati LDK-Vjosa Osmani është ashpërsuar, sidomos pas deklarimeve të kryeparlamentares se subjekti i udhëhequr nga Isa Mustafa e ka përdhosur vullnetin e qytetarëve.

(Kosova Sot Online)