Bëri thirrje për t’ia vënë flakën Presidencës e Kushtetueses, detaje nga seanca e mitrovicasit

  • G.G /
  • 08 October 2020 - 14:15
Bëri thirrje për t’ia vënë flakën Presidencës e Kushtetueses, detaje nga seanca e mitrovicasit

Eksperti i psikiatrisë, Dr. Bujar Obertinca, ka deklaruar se G.M., i cili për shkak të një postimi në rrjetin social “Facebook”, që kishte bërë thirrje për djegien e zyrës së Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese Arta Hajrizi-Rama, akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, vuan nga çrregullim kronik.

Këtë deklarim Obertinca e bëri në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë dhënies së mendimit lidhur me raportin që ekziston në shkresat e lëndës për gjendjen psikike të të akuzuarit në kohën e kryerjes së veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vlerësimit të ekspertit Obertinca, i akuzuari vuan nga një çrregullim kronik, i cili ka nevojë për përcjellje permanente nga ana e profesionistëve të shëndetit mendor.

Në pyetjen e prokurores speciale Fikrije Fejzullahu, nëse përkundër trajtimeve që i akuzuari merr a paraqet rrezik për të tjerët, Obertinca tha se nëse i njëjti i përfillë rekomandimet e psikiatrit apo psikologëve për përdorimin e rregullt të terapisë, rreziku për rrethin është minimal.

Sipas ekspertit psikiatrik, i akuzuari G.M. vuan nga një çrregullim kufitar i personalitetit, karakteristikat e të cilit janë impulsiviteti, inkotinenca emocionale që do të thotë se i njëjti mund të bëhet nervoz shumë shpejtë dhe të kaloj në hidhërim apo gëzim.

“Si pjesë e këtyre karakteristikave është pamundësia e funksionimit në rrethin social që manifestohet me raporte jo të mira njerëzore në pamundësi të mbajtjes së një vendi të punës. Duke i marr parasysh këto, kemi konstatuar se i njëjti, në kohën e kryerjes së veprës ka qenë në një gjendje të përkeqësuar për shkak të mungesës së gjumit dhe të trajtimit adekuat”, u shpreh psikiatri Obertinca.

Pas deklarimit të tij, palët në procedurë kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Gjatë fjalës përfundimtare të tij, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Muhamet Halimi nuk e ka paraqitur si kontestues faktin e shkrimit dhe publikimit të përmbajtjes e cila paraqet inkriminim, mirëpo e ka përjashtuar ekzistimin e dashjes direkte për shkak të gjendjes mendore dhe shpirtërore të të akuzuarit.

Bazuar në këto dhe vlerësimin e ekspertëve psikiatrik, ai ka propozuar që ndaj klientit të tij të shqiptohet një masë e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik nga liria, pasi që sipas tij, G.M. që nga dita e ndërprerjes së paraburgimit e ka respektuar dhe do ta respektojë masën e trajtimit psikiatrik.

Ndërsa, prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe në të njëjtën kohë t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat dhe provat e siguruara në këtë proces gjyqësor, përfshirë këtu edhe pendimin e tij.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari G.M. ka thënë se ditën kritike kishte qenë në terapi dhe në gjendje të dëshpëruar nga ana psiqike dhe fizike.

“Kam qenë i shqetësuar në ato momente, djalli apo dikush sikur më fliste në mendje dhe veshin tim, se po qe se ti nuk e shkruan atë mesazh do të ndodhë diçka e keqe. Përkundër asaj, falënderoj Zotin, shtetin edhe popullin që vetëm ka qenë koment e nuk ka ndodhë asgjë ndaj institucioneve publike, Kushtetueses dhe Presidencës”, ka deklaruar G.M.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance, prokurorja Fejzullahu ka konstatuar ndryshimin e aktakuzës lidhur me kompetencën, për shkak se kjo lëndë kishte kaluar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

“Më 28 korrik 2020, me vendim të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale është pranuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë që kjo lëndë të pranohet në kompetencë të kësaj prokurorie. Prokuroria Speciale, më 8 tetor 2020 në kuptim të nenit 252, paragrafi 1, i KPPRK-së paraqet aktakuzë të ndryshuar, ashtu që aktakuza ndryshohet kundër të akuzuarit G.M. ndërsa dispozitivi mbetet i njëjtë”, ka shtuar prokurorja Fejzullahu.

Gjithashtu, prokurorja Fejzullahu ka tërhequr nga aktakuza propozimin që të akuzuarit t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyruar psikiatrik në liri.

Për këto ndryshime të aktakuzës, avokati Halimi ka deklaruar që prokuroria se është dashur ta bëjë këtë ndryshim më herët dhe ta dorëzojë në kopje fizike tek palët, mirëpo ai nuk ka kërkuar shtyrjen e kësaj seance gjyqësore për këtë arsye.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast do të bëhet më 12 tetor 2020, në ora 13:00.

Ndryshe, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 28 maj 2020, me të cilin ishte vlerësuar se dekreti i Presidentit Hashim Thaçi, që e kishte mandatuar për kryeministër Avdullah Hotin, është në harmoni me Kushtetutën, kishte shkaktuar reagime të shumta pro dhe kundër.

Pas këtij vendimi, G.M., më 29 maj 2020, rreth orës 11:00, në Mitrovicë, kishte publikuar një status në rrjetin social “Facebook”, përmes të cilët kërkonte që të digjej zyra e Presidentit Hashim Thaçi dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajzeri.

“Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, kishte shkruar G.M.

Ky publikim i të akuzuarit ka ndikuar që ndaj tij, Prokuroria Themelore në Mitrovicë të ngrisë aktakuzë, me të cilën e ka ngarkuar atë për vepër penale terrorriste.

Mirëpo, përgatitja e kësaj lënde nga ana e Prokurorit të Shtetit është përcjellë me gabime në kualifikimin juridik e mos përfshirje të të gjitha provave, para ngritjes së aktakuzës.

Prokuroria në aktakuzë, të akuzuarin e ka ngarkuar me veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, që përcaktohet me nenin 134 të Kodit të vjetër Penal, por në fakt kjo vepër penale është e paraparë me nenin 143 të këtij Kodi.

Ndërsa, në seancën fillestare të mbajtur më 23 korrik 2020, prokurorja Jelena Marjanoviq ka bërë precizimin e aktakuzës, duke e ngarkuar të akuzuarin me veprën penale “shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, duke e kualifikuar me nenin 141 të Kodit të vjetër Penal.

Mirëpo, një veprim i tillë bie në kundërshtim me nenin 3 të Kodit Penal të Kosovës, sipas të cilit përcaktohet që “ndaj kryesit zbatohet ligji që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale”.

Ndryshe, ky rast fillimisht kishte shkuar në trajtim në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, mirëpo gjyqtari Bekim Veliqi, të cilit i ishte ndarë kjo lëndë, me vendimin e 7 korrikut 2020, e kishte shpallur këtë gjykatë jo kompetente, me arsyetimin se sipas nenit 18 të Ligjit për Gjykata, kompetent për t’i gjykuar lëndët që bien në kompetencë të PSRK-së, është Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 22 qershor 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj G.M., duke pretenduar se i akuzuari më 29 maj 2020, rreth orës 11:00, në Mitrovicë, me qëllim të organizimit për kryerjen e veprës terroriste, përmes rrjetit social “Facebook”, ka publikuar komentin e tij “Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, dhe ky koment është shpërndarë nëpër mediat elektronike.

(Kosova Sot Online)