BE-ja po e izolon Bjellorusinë, Bullgaria, Çekia e Sllovakia tërheqin ambasadorët nga ky shtet

  • E.K /
  • 09 October 2020 - 09:37
BE-ja po e izolon Bjellorusinë, Bullgaria, Çekia e Sllovakia tërheqin ambasadorët nga ky shtet

Bullgaria, Republika Çeke dhe Sllovakia njoftuan të enjten se do t’i tërheqin ambasadorët e tyre nga Bjellorusia pasi një hap të tillë e morën edhe disa shtete tjera, përfshirë Poloninë dhe vendet baltike.

Ky njoftim erdhi vetëm një ditë pasi Estonia dhe Letonia thanë se do t’i tërheqin ambasadorët nga vendi që udhëhiqet nga lideri autoritar, Aleksander Lukashenko. Vendim të njëjtë morën të hënën edhe Polonia dhe Lituania pasi Bjellorusia i tërhoqi ambasadorët e saj nga Varshava dhe Vilniusi.

Bjellorusia e mori këtë vendim pasi Bashkimi Evropian vendosi sanksione kundër zyrtarëve bjellorusë që akuzohen për mashtrim me vota dhe shkelje të të drejtave të njeriut, shkruan Free Europe.

Autoritetet bjelloruse i kanë akuzuar Poloninë dhe Lituaninë për përkrahje të protestave masive që shpërthyen kundër presidentit Lukashenko që nga zgjedhjet e gushtit, ku presidenti që është për një kohë të gjatë në pushtet u shpall fitues me mbi 80 për qind të votave.

Liderët e opozitës, disa prej të cilëve janë larguar nga vendi për shkak të përndjekjes politike, kanë thënë se rezultati i zgjedhjeve është manipuluar në favor të liderit autoritar. Bashkimi Evropian ka thënë se nuk e njeh Lukashenkon si president legjitim të Bjellorusisë dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të reja.

(Kosova Sot Online)