“Përse po iu vendosni njerëzve çipa”, dalin detaje nga aksioni te AKI’ja

  • E.K /
  • 09 October 2020 - 09:54
“Përse po iu vendosni njerëzve çipa”, dalin detaje nga aksioni te AKI’ja

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës e kanë bllokuar sot me mëngjes rrugën pranë Agjencisë Kosovarë për Inteligjencë, nën dyshimet për një mjet shpërthyes të vendosur para ndërtesës së këtij institucioni.

Deri tani ajo që dihet është se një person sot në mëngjes fillimisht është afruar ndërtesës së AKI’së dhe është fjalosur me rojet e AKI me akuzat: “Përse po iu vendosni njerëzve çipa”, shkruan Metro.

Pas kësaj fjalosje, këtij personit dyshohet se ju është gjetur në veturën e tij të tipit “Fiat” ngjyrë e bardhë, një mjet shpërthyes për çka edhe është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Sot, 09 tetor 2020, rreth orës 06:15, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në Prishtinë në rrugën drejtimi i Fushë-Kosovës, gjendet një person i dyshuar me një veturë.Njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme në vendin e ngjarjes, ku personin e dyshuar e kanë ndaluar dhe shoqëruar në stacionin policor.Në vendin e ngjarjes janë dalë edhe njësitet kompetente policore të cilat janë duke kryer veprimet e mëtejme policore.Rruga në drejtim të Fushë Kosovës është bllokuar, përderisa të përfundojë kryerja e vendshikimit të vendit të ngjarjes”, ka thënë Kelani.

(Kosova Sot Online)