Haki Rugova del sot para Gjykatës

  • E.K /
  • 11 October 2020 - 10:08
Haki Rugova del sot para Gjykatës

Seanca dëgjimore për kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili u arrestua nën dyshimet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, do të mbahet sot.

Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, sot do ta ketë përballjen e parë në Gjykatë, pas arrestimit.

Këtë e ka bërë të ditur avokati Besnik Berisha, i cili ka thënë se ato çka i ka thënë prokuroria për këtë rast nuk janë të vërteta.

“Për ata qe kane interesim, ju njoftoj se seanca dëgjimore tek Gjyqtari i Procedurës Paraprake është planifikuar teë mbahet nesër, në orën 10:00, në Gjykatën Themelore në Pejë. Mbani mend: E vërteta nuk është ajo çfarë është shkru e thënë nga Prokuroria dhe mbi atë nuk do te mund të ndërtohet drejtësia…!”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Ndërkohë, Rugova është arrestuart nën dyshimin se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke u dhënë familjarëve tokë të Komunës.

Një gurëthyes është arsyeja e arrestimit të kryetarit të Istogut.

Ai dyshohet se ia dha në shfrytëzim një parcelë publike familjarëve të tij, të cilët ushtrojnë këtë veprimtari.

Përveç Rugovës, Policia ka ndaluar për 48 orë edhe ish-nënkryetarin e komunës dhe në zyrtar tjetër.

Mbi ta po rëndojnë disa vepra penale.

Megjithëkëtë dikush po beson që veprimet e zyrtarëve komunalë ishin tërësisht ligjore.

Nënkryetari i Komunës së Istogut, Agim Ademaj ka thënë që vendimin për këtë parcelë e ka marrë asambleja komunale.

Rrjedhimisht sipas tij, kryetari është i pafajshëm.

Kjo nuk është hera e parë që Rugova përballet me drejtësinë. Ai është duke u gjykuar nga Gjykata e Pejës për veprën penale të konfliktit të interesit.

(Kosova Sot Online)