“Ke marrë subvencione nga Zyra e Kryeministrit”, deputetët e komunitetit egjiptian përplasen në Kuvend

  • E.K /
  • 12 October 2020 - 11:18
“Ke marrë subvencione nga Zyra e Kryeministrit”, deputetët e komunitetit egjiptian përplasen në Kuvend

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti egjiptian, Veton Berisha e Elbert Krasniqi janë përplasur sërish në seancën për votimin e projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike. Berisha i ka bërë thirrje Krasniqit që ta votojë këtë projektligj, ndërsa Krasniqi ka refuzuar, duke e akuzuar Berishën se votat po i jep vetëm për interesa personale.

“E kam një porosi dhe dua ta përcjelli te bashkombasi im, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës i cili e përfaqëson komunitetin egjiptian, në emër të atij komuniteti që më ka porosit ta ftoj deputetin ta votojë këtë projektligj për shkak që është në interes të këtij komuniteti që e dimë të gjithë se në çfarë gjendje është. Këtu jemi të thirrur me e përkrah dhe me e votu një ligj, sidomos unë dhe Elberti të zgjedhur nga ai komunitet, sidomos me i mbrojtë interesat e atij komuniteti që na  ka sjellë këtu… Si vëlla i komunitetit të përbashkët, e ftoj deputetin Krasniqi kësaj here ta mbështes komunitetin e tij që e ka pru këtu”, ka thënë Berisha.

Ndërkaq deputeti Elbert Krasniqi, që i është bashkangjitur Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kërkesa e Berishës është qesharake dhe naive, derisa e ka akuzuar atë se ka përfituar subvencione për vete nga Zyra e Kryeministrit.

“Është edhe qesharake, edhe naive kjo thirrje. Kujtoj që kjo qeveri nga pakoja emergjente fiskale, masë emergjente që t’i ndihmojë komunitetin, nuk e ka implementu. Është e vetmja masë që nuk e ka implementu….. Vetoni sot nuk ka arsye me votu, Vetoni sot ka arsye me i kushtëzu, e jo të bëj thirrje për këso pazare… Unë e kuptoj që ky është vetëkënaq që këtë edhe klanin e tij Zyra e Kryeministrit e ka mbështetur me subvencione që duhet t’u shkojë deri në fund edhe hetuesia”, ka thënë Krasniqi.

Në replikë, Veton Berisha ka thënë se duartrokitja që ia dhanë deputetët e LVV-së Elbert Krasniqit, dëshmon se ai dirigjohet nga ai subjekt politik.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike ka kaluar në lexim të parë.

(Kosova Sot Online)