E konfirmon Qeveria: Lajçak vjen nesër në Kosovë

  • E.K /
  • 12 October 2020 - 15:36
E konfirmon Qeveria: Lajçak vjen nesër në Kosovë

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun e Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të vijë të martën në Prishtinë.

Lajmin për ardhjen e Lajçakut në Kosovë e ka konfirmuar zyra e Kryeministrit, në një përgjigje.

Lajçak në Prishtinë do të takohet me kryeministrin Avdullah Hoti.

“Po, është e vërtetë se i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak nesër do të vijë në Kosovë dhe do të takohet me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti. Për orën e takimit do të njoftoheni nesër nga zyra jonë, ndërsa rreth agjendës së z. Lajçak ju lutem drejtohuni tek zyra e BE-së në Kosovë”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë, Lajçak të dielën ka kundërshtuar ata që po shprehen se tash nuk është koha e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Kur, nëse jo tash? Vetë e keni nënshkruar marrëveshjen”, ka thënë ai në një intervistë për “ëienerzeitung”.

Ai ka komentuar procesin aktual të dialogut mes dy vendeve duke thënë se janë duke u diskutuar çështje të ndjeshme, për pronat dhe pretendimet financiare. Ka thënë se palët janë pajtuar që të flasin edhe për të pagjeturit dhe të zhvendosurit si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Megjithatë, ai ka thënë se për asgjë s’mund të arrihet pajtim pa u pajtuar për gjithçka.

“Tjetër sfidë është marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Palët ishin pajtuar për këtë më 2013/2015, por s’është implementuar kurrë. Është çështje e ndjeshme në të cilën po ashtu ka dhënë fjalën e saj edhe Gjykata Kushteutese e Kosovës – dhe ky opinion duhet të merret parasysh. Por ata që kundërshtojnë se tash nuk është koha e duhur, i pyes: ‘Kur, nëse jo tash? Ju e keni nënshkruar këtë marrëveshje vetë’”, ka thënë ai. “Qëllimi ynë është një marrëveshje që rregullon të gjitha çështjet e hapura dhe të paadresuara. Me aprovimin më 2013/2015 vjen edhe obligimi për ta implementuar. S’ka çështje që negociohet e që është e lehtë. Por nëse e ndërpresim dialogun sërish, do të na duhet ta rinisim”, ka deklaruar Lajçak.

Çështja e Asociacionit është temë që po kërkohet me ngulm të diskutohet nga pala serbe. Ndërsa për Kosovën po konsiderohet “temë e mbyllur”.

(Kosova Sot Online)