Pas krizës së pandemisë, kompania ajrore e bën aeroplanin restorant

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 09:44
Pas krizës së pandemisë, kompania ajrore e bën aeroplanin restorant

Kompania ajrore “Singapore Airlines” ka vendosur që një aeroplan që i ka mbetur pa u shfrytëzuar për shkak të krizës së pandemisë ta përdorë për mënyra inovative të biznesit, duke u ofruar njerëzve që të shërbehen me ushqim në të.

Pavarësisht çmimit që shkon deri në 496 dollarë për një ulëse, të gjitha ulëset u rezervuan për dy datat e para brenda më pak se gjysmë ore, shkruan BBC.

Kjo kompani tashmë i ka caktuar edhe dy data tjera, ndërsa personat e interesuar duhet të regjistrohen në listën e pritjes për të ngrënë drekë apo darkë në aeroplanin që s’është ngritur në qiell për muaj të tërë.

“Singapore Airlines” është një nga shumë kompanitë ajrore që po kërkojnë modele të reja biznesi për t’i mbuluar humbjet e pësuara gjatë pandemisë.

Kompania tash për tash po planifikon t’i shfrytëzojë dy aeroplanë të tipit “Airbus A380” për dreka dhe darka. Secili prej aeroplanëve do të jetë i mbushur përgjysmë me qëllim që të respektohet distanca sociale.

Oferta për drekë apo darkë fillon nga çmimi prej 39 dollarësh, ku mysafirët mund të shikojnë edhe film gjatë ngrënies. Megjithatë, aeroplani nuk do të fluturojë gjatë kësaj kohe.

Më parë, kjo kompani e kishte shqyrtuar mundësinë që të ofrojë fluturime pa destinacion, ku pasagjerët do të ktheheshin përsëri në të njëjtin vend, por më vonë hoqi dorë nga kjo ide.

“Singapore Airlines” është goditur rëndë nga pandemia. Muajin e kaluar, kompania njoftoi se do t’i largojë nga puna 4.300 punëtorë apo rreth 20 për qind të tërë fuqisë punëtore.

(Kosova Sot Online)