Fillon votimi i hershëm në ShBA, amerikanët presin deri në 10 orë në radhë

  • S.A /
  • 13 October 2020 - 09:47
Fillon votimi i hershëm në ShBA, amerikanët presin deri në 10 orë në radhë

Në Georgia të Shteteve të Bashkuara të hënën filloi votimi i hershëm në mënyrë fizike. Njerëzit pritën deri në dhjetë orë për të votuar për shkak të interesimit të madh dhe radhëve të gjata që u krijuan para qendrave të votimit.

Votuesit e përkushtuar pritën gjashtë orë ose më shumë në distriktin Cobb, i cili dikur mbizotërohej nga Republikanët, por së fundi pati më shumë vota për Demokratët. Numër të madh të njerëzve të interesuar për ta hedhur votën pati edhe në distriktin Floyd, ku përkrahja për Trumpin është e fuqishme.

Së paku dy rajone patën fillimisht probleme me librat elektronikë që përdoren për kontrollimin e votuesve. Ky problem bëri që procesi i votimit të ndërpritet për ca kohë në Atlanta. Votuesit që votuan në palestrën e basketbollit u përballën me pritje të gjata për shkak të problemit teknik.

Në disa pjesë tjera të Atlantas, disa votues thanë se kanë pritur më shumë se dhjetë orë për të votuar, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Votuesit filluan të presin në radhë në orët e hershme të mëngjesit. Ata e ndihmonin njëri-tjetrin me drita të telefonave për t’i plotësuar aplikacionet në gjysmerrësirë.

Steve Davidson, një votues me ngjyrë, tha se kongresisti i ndjerë, John Lewis, dhe të tjerët kanë luftuar shumë gjatë dhe shumë fort për t’ia siguruar vendin atij në qendër votimi, prandaj nuk mund të ndihet i lodhur dhe të largohet nga pritja.

Për shkak të pritjeve për numër rekord të votuesve në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit dhe për shkak të rrezikut nga koronavirusi, zyrtarët e zgjedhjeve dhe grupet për mbrojtjen e të drejtave i kanë nxitur njerëzit që të votojnë më herët.

(Kosova Sot Online )