Policia arreston në Pejë të dënuarin për grabitje, dërgohet në Burgun e Dubravës

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 10:28
Policia arreston në Pejë të dënuarin për grabitje, dërgohet në Burgun e Dubravës

Njësia për Reagim të Shpejtë-Pejë, mbrëmë ka arrestuar personin e kërkuar me urdhëresë nga Gjykata Themelore në Pejë për veprën penale ‘grabitje’.

Njësiti për Reagim të Shpejtë (NJRSH), në rrugën ‘Nexhip Basha’ në Pejë, ka ndaluar veturën Ford Fokus me targa vendore, me të ndaluar veturën, pasagjeri, tani i dyshuari, ka dalë nga vetura dhe ka filluar të ikë me vrap. Zyrtarët policorë janë vënë në ndjekje të të dyshuarit dhe kanë arritur ta kapin.

“I dyshuari nuk posedonte dokumente identifikimi dhe menjëherë është arrestuar. Pas verifikimit ka rezultuar se i njëjti ka një urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë dhe me aktvendim të plotfuqishëm të lëshuar nga gjykata e njëjtë, ishte i dënuar me burg në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh për shkak të veprës penale, ‘grabitje’. I dyshuari është dërguar në burgun e Dubravës në vuajtje të dënimit”, thuhet tutje në njoftimin dërguar mediave.

(Kosova Sot Online)