Greqia: S’ka bisedime me Turqinë pa e tërhequr anijen eksploruese

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 11:33
Greqia: S’ka bisedime me Turqinë pa e tërhequr anijen eksploruese

Zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Petsas, ka thënë se Greqia nuk do të zhvillojë bisedime me Turqinë në lidhje me shfrytëzimin e burimeve natyrore në Mesdhe pa u tërhequr anija eksploruese “Oruc Reis” nga ujërat e kontestuara.

“Për aq gjatë sa anija Oruc Reis është në zonë, ne nuk do të mbajnë kontakte për eksplorim me Turqinë”, tha ky zëdhënës për Radio Skai-n.

Të hënën, Greqia tha se vendimi i Ankarasë për të dërguar anije afër ishullit grek, Kastellorizo, është eskalim i madh dhe kërcënim i drejtpërdrejtë për paqen në rajon, shkruan Reuters.

Turqia e kishte tërhequr muajin e kaluar këtë anije nga ujërat e kontestuara. Ky vendim ishte marrë para samitit të Bashkimit Evropian, në të cilin u diskutua për sanksione ndaj Turqisë.

Në këtë samit, Bashkimi Evropian tha se nëse Turqia i vazhdon operacionet në rajonin e Mesdheut Lindor, sanksionet kundër këtij shteti mund të vendosen në dhjetor.

(Kosova Sot Online)