OKB-ja: Palestinezët po kërkojnë ushqim në mbeturina

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 11:48
OKB-ja: Palestinezët po kërkojnë ushqim në mbeturina

Drejtori i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë, Philippe Lazzarini, ka thënë se palestinezët në Gaza po kërkojnë ushqim në mbeturina për shkak të shkallës së pashembullt të varfërisë me të cilin po përballen.

Sipas tij, përpos në Gaza, refugjatët palestinezë në Liban, Siri, Jordani dhe në vendet e tjera po vuajnë edhe më shumë për shkak të pandemisë. “Atje ka dëshpërim dhe mungesë shprese”, tha Lazzarini gjatë një interviste.

“Në Gaza, njerëzit po i kontrollojnë mbeturinat. Më shumë njerëz po luftojnë që të sigurojnë një ose dy vakte ushqimi në ditë për familjet e tyre”, shtoi ai, duke iu referuar raporteve të punëtorëve të kësaj agjencie në Gaza.

Organizata që e udhëheq Lazzarini tashmë po përballet me mungesë fondesh. Ajo zakonisht ka deficit buxhetor vjetor prej më shumë se 100 milionë funtesh dhe rrezikon që brenda katër-pesë javësh të mbetet pa fonde, ndonëse ka staf prej 30.000 punëtorësh.

Kriza financiare e organizatës që merret me refugjatët palestinezë u thellua në vitin 2018, kur presidenti amerikan, Donald Trump, ia pakësoi ndihmën financiare vjetore për rreth 300 milionë dollarë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë vlerësim apo respekt nga palestinezët për ndihmën e ofruar.

Megjithatë, vendimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë për pakësimin e fondeve solli një valë të pashembullt solidarizimi me këtë organizatë, tha drejtori i sa, pasi shumë donatorë globalë morën masa për ta plotësuar boshllëkun e lënë nga Shtetet e Bashkuara.

(Kosova Sot Online)