Thaçi rrugës duke u kthyer nga Washingtoni, nesër e takon Lajçakun

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 11:52
Thaçi rrugës duke u kthyer nga Washingtoni, nesër e takon Lajçakun

Presidenti Hashim Thaçi sot pritet të kthehet nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Burime të medias njoftojnë se i pari i shtetit pritet që nesër të takojë edhe Përfaqësuesin e Posaçëm të BE’së Miroslav Lajçak, i cili do të arrijë sot në Kosovë për një vizitë dy ditore.

Të enjten e 8 tetorit, Presidenti Thaçi pas vizitave në Bruksel ishte nisur për në kryeqytetin amerikan pa dhënë detaje për arsyet e vizitës.

Nga disa fotografi që kanë qarkulluar, Thaçi në ShBA është takuar me përfaqësues shqiptaro-amerikanë.

Ka thënë edhe që është takuar me zyrtarë të Departmentit të Shtetit, por asnjë njoftim nuk është bërë për ndonjë takim.

Vizita e tij në Evropë dhe ShBA ishte e para që nga publikimi i propozim-aktakuzës nga Prokurori i Specializuar më 24 qershor të këtij viti.

Ndryshe, diplomati sllovak Lajçak gjatë vizitës dy ditore në Kosovë do të takohet me të gjithë përfaqësuesit politik në Kosovë, ka njoftuar zyra për media e BE’së në Prishtinë.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (PPBE) për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, vjen për vizitë sot në Kosovë. Gjatë vizitës së tij nga 13 deri më 15 tetor, ai do të takohet me të gjithë udhëheqësit politikë, komunitetin ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. PPBE-ja planifikon të diskutojë përparimin e bërë që nga rinisja e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në muajin korrik, si dhe hapat e ardhshëm në negociatat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, thuhet në njoftim.

Pas Kosovës, Emisari i BE’së do të zhvillojë vizitë zyrtare edhe në Serbi.

Tema kryesore të cilën pritet ta trajtojë Lajcak është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe e cila temë edhe ka bllokuar bisedimet mes dy shteteve.

(Kosova Sot Online)