Ngritet aktakuzë për korrupsion ndaj Jeton Vorfit

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 12:25
Ngritet aktakuzë për korrupsion ndaj Jeton Vorfit

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-asamblistit nga radhët e partisë politike “Alternativa”, në Kuvendin Komunal të Gjakovës, Jeton Vorfi.

Vorfi po akuzohet se nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë, pas dorëzimit të mandatit si asamblist.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Jeton Vorfi po akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga 27 qershori 2019 e deri me 27 korrik 2019, i pandehuri Jeton Vorfi, në cilësinë e ish-këshilltarit Komunal në Gjakovë, funksion i cili kualifikohet në kuadër të zyrtarëve të lartë publikë nga neni 3, paragrafi, 1 nënpargrafi 1.1 pika 1.1.8 të Ligjit nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publik, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë në afat prej 30 ditësh pas dorëzimit të mandatit si asamblist, sipas nenit 5 të Ligjit 04/L-05 dhe nenit 3 të Ligjit 04/L-028, obligim ky i paraparë për të gjithë zyrtarët e lartë publik pas ndërprerjes së ushtrimit të funksionit publik, edhe përkundër faktit se i pandehuri ka qenë i informuar paraprakisht dhe në dijeni për obligimin për deklarimin e pasurisë. 

(Kosova Sot Online)