Likaj zotohet se do ta kursej buxhetin e shtetit, deputeti: Parregullsitë e MASH-it mund të adresohen në Prokurori

  • E.K /
  • 13 October 2020 - 12:56
Likaj zotohet se do ta kursej buxhetin e shtetit, deputeti: Parregullsitë e MASH-it mund të adresohen në Prokurori

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj është zotuar se do të jenë të kujdesshëm në shpenzimin e parasë publike. Këtë ai e ka bërë gjatë mbledhjes së Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku është miratuar raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vitin 2019.

Likaj ka thënë se digasteri të cilin e udhëheq po i përfillë rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për t’i zvogëluar shpenzimet.

“Çështja e klasifikimit të shpenzimeve është adresuar. Çështja e mangësisë për rregullimin e sistematizimit të pozitave të punës. Çështja e marrëveshjes së shërbimeve të veçanta, është ndërprerë dhe nuk është vazhduar… Ne jemi duke punuar vazhdimisht për t’i zbatuar të gjitha rekomandimet që janë nxjerrë nga raporti i ZKA”, tha ai.

“Do të jemi shumë të kujdesshëm në shpenzimin e parasë publike”, theksoi Likaj.

Deputeti i AAK-së, Ali Berisha ka thënë se raporti i auditimit për këtë ministri është shqetësues. Ai ka thënë se këto parregullsi mund të adresohen në Prokurori, por sipas tij, duhet vullnet nga udhëheqësit e MASH-it.

“Raporti i kësaj ministri është shumë shqetësues dhe ka shumë gjetje. Këto gjetje ka vend që mund të adresohen në prokurori dhe nëse këtë e kanë vullnetin mund ti zgjedhin këto”, ka thënë ai.

Ndërkaq deputetja e LDK-së, Besa Gaxheri ka thënë se në raport është identifikuar një shumë mbi 1 milion euro si keqklasifikim i një kategorie jo adekuate.

“Raporti i auditimit ka gjetur që kontrollet mbi të hyrat zbatohen mirë ndërsa ato në shpenzime kërkojnë ende përmirësime”.

“Raporti ka identifikuar një shumë mbi 1 milion euro si keq klasifikim i një kategorie jo adekuate. A kanë universitetet zyrtarë ligjor dhe a janë efektivë?”, ka pyetur Gaxherri.

(Kosova Sot Online)