BE-ja godet me sanksione shefin e shërbimit sekret rus për helmimin e Navalnit

  • E.K /
  • 15 October 2020 - 13:30
BE-ja godet me sanksione shefin e shërbimit sekret rus për helmimin e Navalnit

Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve rusë dhe një qendre kërkimore kimike për helmimin e aktivistit të opozitës, Aleksei Navalni.

Në mesin e personave të prekur nga sanksionet janë shefi i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB), Aleksander Bortnikov, dhe dy zëvendësministra të Mbrojtjes. Ndaj tyre janë vendosur ndalim i udhëtimeve dhe ngrirje e aseteve.

Figura kryesore e opozitës ruse është duke u trajtuar në Berlin. Ai e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për sulmin me agjentin nervor, Noviçok, në fund të gushtit, shkruan BBC.

Qeveria ruse ka mohuar se ka ndonjë rol në këtë rast.

Ministrat e Jashtëm të BE-së u morën vesh për sanksione ndaj këtyre zyrtarëve pasi u nxitën nga Franca dhe Gjermania, të cilat janë të bindura se helmi erdhi nga një organ shtetëror.

Në deklaratën e BE-së që u publikua të enjten thuhet: “Duke marrë parasysh që Aleksei Navalni ishte nën vëzhgim në kohën e helmimit, është e arsyeshme të arrihet në përfundim se helmimi ka qenë i mundshëm vetëm me përfshirjen e Shërbimit Federal të Sigurisë”.

Sipas deklaratës, sanksionet ndaj zyrtarëve rusë janë pjesë e një aksioni kundër prodhimit dhe përdorimit të armëve kimike.

(Kosova Sot Online)