Projektligji për Avokaturën Shtetërore: Avokat i shtetit kur sheh keqpërdorime do t’i denoncojë me kallëzim penal

  • E.K /
  • 15 October 2020 - 14:11
Projektligji për Avokaturën Shtetërore: Avokat i shtetit kur sheh keqpërdorime do t’i denoncojë me kallëzim penal

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi sot ka mbajtur një konferencë për media, me ç’rast ka njoftuar për finalizimin e Projektligjit për Avokaturën Shtetërore dhe procedimin e tij në Zyrën e Kryeministrit.

“Miratimi i këtij projektligji, paraqet njërin ndër prioritetet e mija si ministër i Drejtësisë, me çka synoj që ta kemi një sistemi të qëndrueshëm funksional dhe të pavarur në përfaqësimin e autoriteteve publike të Republikës së Kosovës, në procedurat gjyqësore, administrative si dhe në arbitrazh”, tha ministri Selimi.

Sipas ministrit Selimi, në këtë Projektligj janë bërë ndryshimet që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Një çështje që e kemi futur në ligj, është obligimi për denoncimin e keqpërdorimeve. Edhe pse kjo rregullohet me Kodin e Procedurës Penale, ne kemi paraparë që çdo avokat i shtetit në momentin që sheh keqpërdorime të ka për obligim t’i denoncojë me kallëzim penal keqpërdorimin në fjalë tek Prokurori i Shtetit”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi, e vuri në dukje edhe një çështje tjetër me rëndësi, atë të vlerësimit të draft kontratave, e cila është pjesë e këtij ligji.

“Vlerësimi  i riskut të draft kontratave është i rëndësishëm për shkak se në shumicën e rasteve shteti i Kosovës mund të humb buxhet për shkak të kontratave të këqija. Me futjen e kësaj norme, ne e kemi marrë obligim që t’i analizojmë kontratat paraprakisht”, tha ministri Selimi.

Ndërsa Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, Sami Istrefi, tha se me këtë projektligj plotësohet vakumi institucional duke i dhënë mbështetje dhe status të merituar Avokaturës Shtetërore.

“Ky projektligj parasheh gjashtë kapituj  kryesor me të cilët njëherë e mirë do ta plotësoj vakumin të cilin e ka pasur ky institucion me vite të tëra, duke nisur nga statusi juridik i zyrtarëve të këtij institucioni, kolegjiumi i avokatëve, si organ këshillëdhënës, rregullimi i një sektori të veçantë të arbitrazhit, çështja e kontratave dhe të tjera”, deklaroi Istrefi. 

(Kosova Sot Online)