Bangladeshi i dënon me vdekje 5 burra që e kishin dhunuar në grup një vajzë 15 vjeçe

  • E.K /
  • 16 October 2020 - 13:31
Bangladeshi i dënon me vdekje 5 burra që e kishin dhunuar në grup një vajzë 15 vjeçe

Pesë burra, të cilët e kishin dhunuar seksualisht në grup një vajzë 15-vjeçare, janë dënuar me vdekje në Bangladesh, vetëm disa ditë pasi vendi i vogël i Azisë Jugore e miratoi dënimin me vdekje.

Vendimi për këtë dënim u dha në distriktin verior, Tangail, nga një tribunal special i themeluar për rastet e abuzimit kundër grave dhe fëmijëve.

Prokurori Nasim Ahmed tha se i dashuri i viktimës e kishte dërguar vajzën pranë një lumi, ku e kishte dhunuar bashkë me dy shokë, ndërsa më pas kishin marrë pjesë edhe dy persona të tjerë, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

“Të pesë personat janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me vdekje”, tha ky prokuror për agjencinë AFP.

Ky është dënimi i parë më i rëndë që nga dita kur qeveria e kryeministrit Sheikh Hasina e miratoi dënimin me vdekje.

Dhunimi seksual në grup edhe më herët dënohej me vdekje, por dhunimi nga një person i vetëm dënohej me burgim të përjetshëm.

Në Bangladesh ka pasur protesta kundër dhunës ndaj grave, ku protestuesit kanë kërkuar dënime më të rënda ndaj dhunuesve seksualë.

(Kosova Sot Online)