Irani paralajmëron Armeninë e Azerbajxhanin: Mos hudhni raketa në territorin tonë, reagojmë

  • E.K /
  • 16 October 2020 - 15:48
Irani paralajmëron Armeninë e Azerbajxhanin: Mos hudhni raketa në territorin tonë, reagojmë

Ministria e Jashtme e Iranit i ka paralajmëruar Armeninë dhe Azerbajxhanin pasi artileria e tyre nga luftimet në Nagorno-Karabak ka kaluar edhe në territorin iranian, duke e lënë të plagosur një person.

“Nëse ka përsëritje të këtij zjarri, Republika Islamike e Iranit nuk do të qëndrojë indiferente”, tha zëdhënësi i kësaj ministrie, Said Khatibzadeh, përmes një postimi në Twitter të premten.

Agjencia zyrtare e lajmeve i citoi zyrtarët lokalë të kenë thënë se dhjetë raketa i kanë goditur dy fshatra në provincën e Azerbajxhanit Lindor, që është pjesë e territorit të Iranit, duke e lënë të plagosur një person.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për respektim të armëpushimit, palët po i vazhdojnë luftimet. Armenët thanë të premten se numri i ushtarëve të vrarë nga radhët e tyre ka shkuar në 633.

Konflikti në Nagorno-Karabak është duke u përcjellë me vëmendje të madhe nga komuniteti i huaj për shkak se afër asaj zone kalojnë gazsjellësit dhe naftësjellësit që e furnizojnë Evropën.

(Kosova Sot Online)