Ambasadori rus në Serbi flet për Asociacionin: Do të pranonim një zgjidhje që do të kënaqte serbët

  • E.K /
  • 19 October 2020 - 13:16
Ambasadori rus në Serbi flet për Asociacionin: Do të pranonim një zgjidhje që do të kënaqte serbët

Ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko ka thënë se pozicioni i vendit të tij në zgjidhjen e çështjes së Kosovës është i pandryshueshëm dhe bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë situatës në lidhje me Kosovën si pjesë e Serbisë dhe bisedimet mbi marrëdhëniet e ardhshme reciproke midis Beogradit dhe Prishtinës mund të japin rezultate vetëm me respekt të ligjit ndërkombëtar, interesave legjitime dhe shqetësimeve të serbëve të Kosovës,” shkroi ai në një shkrim autorial për “Napredak” , revistë kjo e SNS-së për teori dhe praktikë politike, raporton Veçernje Novosti.

Sipas tij, vetë palët duhet të bien dakord dhe është kundërproduktive të detyrosh normalizimin përfundimtar, dhe siç tha ai të imponosh receta dhe korniza kohore të parapërgatitura.

Ai gjithashtu tha se “Rusia është e përkushtuar për zhvillimin e bashkëpunimit në një gamë të gjerë drejtimesh” dhe se “dialogu konfidencial politik në nivelin më të lartë i jep asaj rëndësi thelbësore”.

“Ne nisemi nga premisa që BE, e cila ishte autorizuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB për të ndërmjetësuar në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, duhet të përmbushë në mënyrë të paanshme dhe efikase detyrimet e saj dhe të përpiqet të zbatojë marrëveshjet e arritura më parë, të cilat shqiptarët e Kosovës i injorojnë hapur sot. Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe zgjidhja e çështjeve në lidhje me refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit janë të një rëndësie të madhe”, shtoi ai.

Sipas diplomatit rus në Beograd, vendi i tij do të mbështesë të gjitha përpjekjet për të ndihmuar “Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë një zgjidhje të vendosur, të qëndrueshme dhe të pranueshme nga të dyja palët, dhe shtoi se presidenti rus Vladimir Putin kishte theksuar vazhdimisht se Rusia do të pranonte vetëm një zgjidhje që do të kënaqte serbët të cilët mbrojnë të drejtat e tyre ligjore në Kosovë”.

(Kosova Sot Online)