Qeveria i nis kërkesë presidentit për hapjen e misionit diplomatik në Izrael

  • E.K /
  • 20 October 2020 - 09:47
Qeveria i nis kërkesë presidentit për hapjen e misionit diplomatik në Izrael

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar sot me ministren e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, me ç’rast është dhënë pëlqimi që të dërgohet kërkesa te presidenti për hapje të misionit diplomatik në Izrael.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate nisur për media nga ekzekutivi.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, sot në një takim konsultativ me Ministren për Punë të Jashtme, Meliza Haradinaj Stublla, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, dha pëlqimin e tij për të dërguar te Presidenti kërkesën për hapje të misionit diplomatik në Izrael”, thuhet në njoftim.

Hoti, sipas njoftimit të Qeverisë, ka theksuar se Izraeli është partner strategjik i Kosovës dhe se vendosja e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve vjen si rezultat i marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

(Kosova Sot Online)