Ky është shteti i parë që do t’i infektojë qëllimisht me Covid-19 njerëzit për qëllime shkencore

  • E.K /
  • 20 October 2020 - 11:58
Ky është shteti i parë që do t’i infektojë qëllimisht me Covid-19 njerëzit për qëllime shkencore

Britania e Madhe pritet të bëhet vendi i parë në botë që i infekton qëllimisht me Covid-19 vullnetarët për ta zbuluar më shpejt vaksinën kundër koronavirusit, konfirmoi të martën qeveria e këtij vendi.

Deri 90 vullnetarë nën moshën 30-vjeçare do të marrin nga një dozë të një vaksine eksperimentale para se të infektohen me Covid-19 për ta parë reagimin e ilaçit, shkruan Daily Mail.

Shpresohet që përmes këtij testimi të lehtësohet puna për zhvillimin e një vaksine. Vaksina e parë pritet në fillim të vitit të ardhshëm.

Gjatë testimit, i cili pritet të fillojë në janar, vullnetarët do të qëndrojnë në klinikë të specializuar për sëmundje në spitalin Royal Free Hospital në Londër, ku simptomat e tyre do të vëzhgohen për së afërmi. Rezultatet do të publikohen në maj të vitit të ardhshëm.

Në testim do të marrin pjesë vullnetarë nga mosha 18 deri 30-vjeçare, që llogaritet si grupi më së paku i rrezikuar nga virusi SARS-CoV-2.

Testimi me infektim të qëllimshëm për herë të parë ishte përdorur në shekullin XVIII nga shkencëtari Edward Jenner, i cili e kishte ekspozuar djalin e kopshtarit të tij ndaj një virusi për të zbuluar nëse vaksina e tij eksperimentale ishte efektive.

(Kosova Sot Online)