Mbrojtja e të dyshuarit që mundësoi vjedhjen e dymilionëshit: Ishte vet i 13-i në zyrë

  • S.A /
  • 22 October 2020 - 13:56
Mbrojtja e të dyshuarit që mundësoi vjedhjen e dymilionëshit: Ishte vet i 13-i në zyrë

Veton Rrecaj, avokat i Labinot Grudës, që dyshohet se mundësoi “avullimin” e mbi dy milionë eurove ka kërkuar hetim edhe për disa persona tjerë pasi sipas tij, në zyrën e dyshuar në Thesarin e Shtetit ku janë vjedhur paratë, kanë qenë edhe 13 persona tjerë.

Në një prononcim për medien, ka deklaruar se nuk mund të thotë askush se vetëm ky ka përdorur ose ka keqpërdorur një kompjuter të caktuar.

“Prokuroria duhet të hetojë edhe persona tjerë. Të shikoj prokuroria edhe provat shfajësuese jo vetëm fajësuese. Ai ka deklaruar nuk ka punuar në atë zyre vetëm, pra ka punuar vet i 13-i. Nuk mund të thotë se vetëm ky ka përdorur ose ka keqpërdorur një kompjuter të caktuar për transaksion të pretenduar. Janë 13 persona. Prokuroria duhet ta analizojë e hetojë saktë se cili person ka bërë këtë”, ka thënë Rrecaj.

Sipas tij, Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit e cila është bazuar vetëm në supozime

“Ende s’ka vendim. Po presim pas orës 13:00. Si zakonisht prokuroria paraqiti kërkesë të pabazuar. Prokuroria ka paraqitur kërkesë e cila është bazuar vetëm në supozime. Ne si mbrojtje kemi paraqitur argumentet dhe pretendimet tona të cilat janë mirë të argumentuara dhe të logjikshme. Ne presim vendim të drejtë nga gjykata pas orës 13:00”, u shpreh Rrecaj.

(Kosova Sot Online )