Lajmi i fundit: Në kasafortën e vjedhur kishte para dhe dokumente të rëndësishme

  • S.A /
  • 22 October 2020 - 14:00
Lajmi i fundit: Në kasafortën e vjedhur kishte para dhe dokumente të rëndësishme

Një vjedhje ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në objektin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Fushë-Kosovë. Media  mëson se kasaforta e cila u vodh ka pasur para për pagesa të vogla, si dhe dokumente të rëndësishme.

“Para për pagesa të vogla, shuma minimale, dokumente të ndjeshme”, ka thënë një burim nga AUV.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për vjedhjen e sotme në AUV.

Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar për medien  zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e rrethanave dhe zbardhjes së plotë të rastit në fjalë”, ka deklaruar Ulaj.

Ndërkohë, lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka thënë  se njësitë policore gjenden në vendin e ngjarjes.

“Me datë 22.10.2020 në orën 08:05 në Policinë e Kosovës është raportuar se në një objekt në Fushë Kosovë është kryer një vjedhje. Njësitet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke kryer hetime për rastin”, ka deklaruar Hoxha.

(Kosova Sot Online )