“Pasaportat e arta”, BE nis hetim për Qipron e Maltën

  • E.K /
  • 22 October 2020 - 14:28
“Pasaportat e arta”, BE nis hetim për Qipron e Maltën

Komisioni evropian ka nisur procedurat hetimore kundër Qipros dhe Maltës për praktikën shumë të përhapur në të dy ishujt në vitet e fundit: lëshimin e atyre që njihen si pasaporta të arta, që i mundësojnë bartësit qarkullim të lirë në bashkimin evropian në këmbim të investimeve prej miliona eurosh, mbi të gjitha në sektorin imobiliar.

Këto programe, janë në fakt të rëndësishme për të dy vendet në vështirësi ekonomike, por në disa raste janë përfshirë në to personazhe me probleme me drejtësinë në vendet e tyre të origjinës. Në lojë ndërkohë janë miliarda euro.

Në shtatë vite, që kur ky program është aktivizuar për të parën herë në Qipro, të dy vendet kanë lëshuar mbi 6 mijë pasaporta duke arkëtuar thuajse 8 miliardë euro.

Një hetim i al xhazirës, kohët e fundit, ka dëshmuar se në Qipro, shpesh në procedura janë përfshirë edhe politikanë të lartë. Këto iniciativa shqetësojnë komisionin që jo rastësisht ka deklaruar se dhënia e shtetësisë së BE në këmbim të pagesave apo investimeve, pa asnjë lidhje reale me vendet anëtare, cënon bllokun. Komisioni evropian thotë se sanksione ekonomike i presin të dyja këto vende nëse nuk do të modifikojnë programet e tyre deri në fund të procesit.

Qipro ndërkohë ka deklaruar se nuk do të lëshojë më këto pasaporta duke filluar nga 1 nëntori, edhe pse do të vazhdojë të shqyrtojë kërkesat e vonuara. Qeveria malteze në anën tjetër e sfidon unionin duke vijuar në rrugën e saj, madje kryeministri i vendit ka deklaruar se do të mbrojë Maltën.

(Kosova Sot Online)