Pompeo takohet me kryediplomatët e Armenisë e Azerbajxhanit, kërkon që të mbrohen civilët

  • E.K /
  • 24 October 2020 - 10:14
Pompeo takohet me kryediplomatët e Armenisë e Azerbajxhanit, kërkon që të mbrohen civilët

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, u takua të premten në Uashington veç e veç me ministrin e Jashtëm të Armenisë dhe me ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit në përpjekje për t’i ulur tensionet mes këtyre vendeve.

Ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit, Ceyhun Bayramov, dhe ministri i Jashtëm i Armenisë, Zohrab Mnatsakanian, u takuan ndaras me Pompeon në Departamentin e Shtetit, shkruan Free Europe.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Morgan Ortagus, tha përmes një deklarate pas bisedimeve se Pompeo e theksoi nevojën për t’i dhënë fund dhunës dhe për t’i mbrojtur civilët.

Sipas saj, kryediplomati amerikan gjithashtu e vuri në pah rëndësinë e bisedimeve përmbajtësore mes palëve, nën mbikëqyrjen e Grupit të Minskut të OSBE-së. Në këtë grup bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Rusia, dhe qëllimi i tij është që të gjejë një zgjidhje për çështjen e rajonit të kontestuar, Nagorno-Karabak.

Pas takimit me Pompeon, kryediplomati armen tha para gazetarëve se puna rreth një armëpushimi do të vazhdojë, ndërsa ministri armen, Bayramov, tha se i ka thënë Pompeos që okupimi armen duhet të marrë fund.

Pavarësisht nënshkrimit të dy marrëveshjeve të armëpushimit me ndërmjetësimin e Rusisë, palët nuk i kanë ndërprerë luftimet. Ato po e akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit. Së paku 1.000 persona janë raportuar të vrarë që nga fillimi i luftimeve më 27 shtator.

(Kosova Sot Online)