Kosnett e përgëzon Kosovën për anëtarësimin në një nismë të SHBA-së

  • E.K /
  • 26 October 2020 - 14:55
Kosnett e përgëzon Kosovën për anëtarësimin në një nismë të SHBA-së

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett e ka përshëndetur anëtarësimin e Kosovës në iniciativën e Thirrjes Globale për Veprim për Fuqizimin Ekonomik të Grave, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Kosnett e ka përgëzuar Kosovën për anëtarësimin në këtë nismë, derisa ka thënë se udhëheqëset kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për shoqërinë.

“Ne e përgëzojmë Kosovën për anëtarësimin në këtë nismë. Gjatë historisë së Kosovës, udhëheqëset femra kanë dhënë kontribut të rëndësishëm për qeverinë dhe shoqërinë. Sidoqoftë, mbetet shumë punë për t’u siguruar që gratë mund të participojnë në ekonomi plotësisht dhe lirisht”, ka shkruar Kosnett në Twitter, ku ka bashkangjitur edhe një video të ministres Meliza Haradinaj duke e hedhur nënshkrimin e saj në deklaratën zyrtare.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla nënshkroi deklaratën zyrtare të Thirrjes Globale të Veprimit për Fuqizim Ekonomik të Grave, duke iu bashkuar homologëve nga shumë shtete të botës për të riafirmuar rolin e rëndësishëm që kanë gratë për përparim shoqëror dhe zhvillim ekonomik.

“Përmes deklaratës nënvizohet fuqishëm rëndësia që ka mënjanimi i barrierave për pjesëmarrje të plotë dhe të lirë të grave në ekonomi si dhe afirmohet roli i Republikës së Kosovës në ndërtimin e konsensusit ndërkombëtar në avancimin e fuqizimit ekonomik të grave. Përmes përkrahjes dhe bashkëngjitjes në këtë thirrje, Republika e Kosovës merr përsipër që të identifikojë dhe zhvillojë plane të brendshme për të avancuar me reforma ligjore, rregullative dhe në nivel të politikbërjes në fushat kryesore të cilat nxisin pjesëmarrjen e plotë dhe të lirë të grave në ekonomi, sigurimin e të drejtave pronësore dhe nxitjen e mundësive për të punuar në të njëjtat punë dhe sektorë sikurse dhe burrat”, u tha dje në komunikatën e MPJD-së. 

(Kosova Sot Online)