Shpërthim në një medrese të Pakistanit, së paku shtatë të vrarë

  • E.K /
  • 27 October 2020 - 09:14
Shpërthim në një medrese të Pakistanit, së paku shtatë të vrarë

Së paku shtatë persona, përfshirë disa fëmijë, u vranë dhe 70 të tjerë u plagosën nga një shpërthim që ndodhi në një shkollë fetare në qytetin Peshawar të Pakistanit, bënë të ditur zyrtarët e këtij vendi.

“Shpërthimi ndodhi në një medrese, ku një numër i panjohur i njerëzve kishte vendosur mjete shpërthyese në qese plastike”, tha një zyrtar policor në kushte anonimiteti për shkak se nuk ishte i autorizuar të fliste për medie. Ai shtoi se në mesin e viktimave ka edhe fëmijë.

Shpërthimi ndodhi gjatë kohës kur një mësimdhënës ishte duke mbajtur ligjëratë rreth Islamit në sallën kryesore të medresesë “Jamia Zubairia”, tha zyrtari policor, Waqar Azim.

“Shpërthimi ndodhi gjatë një ore për Kuranin. Dikush mori një qese (me mjete shpërthyese) brenda sallës”, shtoi ai, duke thënë se personi që e kishte sjellë qesen është larguar nga ora e mësimit para se të ndodhte shpërthimi.

Një zyrtar tjetër policor tha se në mesin e personave të plagosur janë dy mësues. Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Tariq Burki, drejtor i spitalit ku u dërguan personat e prekur nga shpërthimi, tha se në mesin e të vdekurve janë katër fëmijë.

Provinca ku ndodhi sulmi ka qenë cak i shpërthimeve të tilla viteve të fundit. Përgjegjësinë për disa prej tyre e kanë marrë talibanët pakistanezë.

(Kosova Sot Online)