Gjykata e pranon propozimin për t’ia ndërprerë paraburgimin Dervish Krasniqit

  • E.K /
  • 27 October 2020 - 11:51
Gjykata e pranon propozimin për t’ia ndërprerë paraburgimin Dervish Krasniqit

Gjykata Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se e ka pranuar propozimin e Prokurorisë Speciale për t’ia ndërprerë paraburgimin Dervish Krasniqit, i njohur si “Dervish milici” për shumë qytetarë të Klinës që kishin përjetuar e parë torturat e tij gjatë viteve 1998-99.

Kërkesa e Prokurorisë Speciale për lirimin e “Dervish milicit” nga Burgu i Sigurisë së Lartë, ka gjetur miratim nga Gjykata Themelore gjatë ditës së djeshme. Kjo Gjykatë nuk ka treguar arsyet e këtij vendimi.

“Ju njoftojmë se pas propozimit për ndërprerje të paraburgimit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të pandehurin D.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 26.10.2020 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për ndërprerjen e paraburgimit për të pandehurin D.K”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Express.

Dervish Krasniqi nga 2 tetori po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë, ndërsa Express jozyrtarisht ka marrë vesh se arsyeja e lirimit të tij ka qenë mungesa e provave.

Krasniqi ishte bërë makth për qytetarët e komunës së Klinës, pasi sa ishte pjesëtar i Policisë në kohën e regjimit të Millosheviqit, kishte maltretuar qytetarët e kësaj ane.

Ai është arrestuar në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit më 2 tetor, me dyshimin e bazuar se ka bërë krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-99.

Sipas dëshmitarëve, polici nuk sillej mirë me shqiptarët në vitet ’90.

“Ky ka rrahur shqiptar sa ka mundur. Ka qenë edhe komandant i policisë në Ujmir të Klinës. Njerëzit tregojnë se ai i ka rrahur ata dhe i ka ulur në shporet”, kishte deklaruar një qytetar.

Ish-polici, sipas disa dëshmitarëve, deri në përfundim të luftës në Kosovë, ishte i veshur me uniformën e Policisë serbe.

“Ky pesë-gjashtë muaj pas përfundimit të luftës ka qenë i mbyllur. Më pas filloi të lirohej dhe doli nga shtëpia”, shprehej një tjetër qytetar. 

(Kosova Sot Online)