Murati tregon ‘të vetmen zgjidhje’ të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë

  • A.P /
  • 27 October 2020 - 22:28
Murati tregon ‘të vetmen zgjidhje’ të problemeve në mes të Kosovës dhe Serbisë

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka ripërsëritur se e vetmja zgjidhje e përhershme e problemit shqiptaro-serb është ndryshimi i kufijve

“E vetmja zgjidhje e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë  është ripërcaktimi i kufijve, zbatimi i të drejtës për vetëvendosje dhe për bashkim të shqiptarëve në Kosovën Lindore, atje ku shqiptarët janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën dhe njëkohësisht e drejtë e njëjtë të zbatohet edhe për serbët në tri komunat veriore, atje ku janë shumicë’, tha Murati.

“Kjo është diçka që ne e kemi shkruar në letër prej vitit 2010. Nuk ka qenë ide popullore sidomos me bashkësinë ndërkombëtare e cila një kohë të gjatë ishte për mos ndryshim të kufijve”, shtoi ai.

Ai thotë se ata janë për ripërcaktim të kufijve dhe jo shkëmbim territoresh.

“Bindja jonë është që është e vetmja zgjidhje e drejtë që krijon paqe në mes të dy popujve dhe gjithashtu ia hapë Kosovës mundësitë që ta ndryshojë edhe Kushtetutën e vetë sepse kemi një Kushtetutë e cila na len goxha shumë jofunksional’, tha Murati.


(Kosova Sot Online)