Kush është gruaja me të cilën Lavdrim Muhaxheri pati dy fëmijë në Siri?

  • G.G /
  • 28 October 2020 - 13:16
Kush është gruaja me të cilën Lavdrim Muhaxheri pati dy fëmijë në Siri?

Një ditë pas riatdhesimit në Shqipëri, SPAK do të marrë në pyetje Floresha Rashën.

Përmes marrjes në pyetje, struktura e posaçme do të tentojë të mësojë emrat e personave që i kanë ndihmuar për të kaluar drejt Sirisë.

Kush është Floresha Rasha?

Ajo ndodhet në karrocë me rrota dhe nuk dihet në ç’rrethana ajo ka përfunduar kështu. Ajo është e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës , i cili në Shqipëri punonte si shpërndarës picash, por kur shkoi në Siri, u njoh me emrin “Ebu Amar”.

Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek Unaza e Re në Tiranë ku ishte imam Genci Balla. Ai shkoi të luftonte për ISIS më 16 janar 2013 dhe me vete mori edhe familjen.

Ai u nis nga Tirana për në Stamboll dhe më pas përfundoi si ushtar i Shtetit Islamik.

Në vitin 2014 ai u ekzekutua me snajper duke lënë rrugëve gruan me 3 fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, po xhihadistët e bllokuan bashkë me fëmijët.

Në vitin 2015, Shaban Rasha, babai i viktimës dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor në ngarkim të imamëve dhe besimtarëve të akuzuar për rekrutim të personave për vepra terroriste. Shabani u shpreh krenar për djalin e tij dhe faktin se kishte rënë në luftë.

“Diamant Rashën e kam djalë. Ai ka ndërruar jetë. Di që është vrarë. Ka qenë në fronin e luftës në Siri kundër Bashar Al Asadit, kriminelit të historisë. Në dijeni për vrasjen e djalit tim më ka vënë krushku. Babai i nuses së djalit më tha që Diamanti është vrarë. Elhamdulila, i thashë, të gjithë do vdesim një ditë“, tha ai ndër të tjera para gjyqit.

Pas vrasjes së Diamantit, Floresha dyshohet se ka patur edhe dy fëmijë me kreun e luftëtarëve shqiptarë në ISIS, Lavdrim Muhaxheri, ndërsa një prej fëmijëve është vrarë gjithashtu në luftë.

E plagosur në luftë, me barrelë në Shqipëri

Floresha Rasha u riatdhesua së bashku me tre fëmijët e saj, Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha.

Floresha e dobët dhe e lodhur fizikisht u transportua me barrelë nga Rinasi, për tu nisur më pas me autoambulancë drejt Tiranës.

Familjarët prej vitesh jetonin me ankthin e fatit të jetës së të afërmve të tyre.

(Kosova Sot Online)