Pretendimet e avokatit kosovar për rrahjen e fëmijës brenda stacionit policor, deklarohet IPK

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 14:31
Pretendimet e avokatit kosovar për rrahjen e fëmijës brenda stacionit policor, deklarohet IPK

Inspektorati Policor i Kosovës, është në fazën e grumbullimit të informacioneve lidhur me rastin e publikuar dje nga avokati Gazmend Halilaj, i cili pretendon se një ditë më parë një fëmijë palestinez është rrahur brenda stacionit policor “Qendra” në Prishtinë.

Sipas avokatit Halilaj, shtetasit palestinez nuk i është dhënë as ndihmë mjekësore, ndërsa ka paralajmëruar edhe një kallëzim penal kundër institucioneve për zbatimin e ligjit.

Media ka pyetur në Inspektoratin Policor të Kosovës, nëse janë informuar për këtë rast si dhe nëse kanë filluar hetimet.

IPK thotë se akoma nuk kanë pranuar ndonjë ankesë mirëpo pas publikimit të lajmit ka nisur grumbullimi i informacioneve.

“Inspektorati Policor i Kosovës nuk ka pranuar ndonjë ankesë lidhur me këtë rast, sidoqoftë, pas publikimit të lajmit sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe të dhënave shtesë. Veprimet tjera do të ndërmirren në përputhje me autorozimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Ndryshe, avokati ka pohuar se fëmija ka kërkuar strehim në kampin e refugjatëve dhe të njëjtit nuk i është ofruar strehim.

(Kosova Sot Online)