Oligarkët Devolli e blejnë me para të pista edhe drejtësinë e kalbur në shtetin e brishtë të Kosovës për ta rrënuar Telekomin

Oligarkët Devolli e blejnë me para të pista edhe drejtësinë e kalbur në shtetin e brishtë të Kosovës për ta rrënuar Telekomin

Gani Qarri

  • 28 October 2020 - 07:43

Shkruan: Gani Qarri

Pozicionimi i drejtësisë së korruptuar të Kosovës, së bashku me politikën e inkriminuar, në mbrojtje të oligarkëve Devolli që ka mësyrë shkatërrimin dhe falimentimin përfundimtar të Telekomit të Kosovës, pas ndërprerjes se kontratës kriminale me Z-Mobile,jo vetëm se është veprimi më skandaloz dhe kriminal që ka mundur ti ndodhte Kosovës në këtë kohë, por lë të kuptohet, se pas shkatërrimit të Telekomit, mafia politike ,do të vazhdojë me shkatërrimin edhe të kompanive të tjera shtetërore e shoqërore në vend, deri në shkatërrimin e plotë edhe të vet shtetit të Kosovës.

-Loja makabre e politikës së degjeneruar vendore dhe Drejtësisë së kapur Kosovare me Telekomin shtetëror të Kosovës,është turpi më i madh me të cilin do të ngjyroset edhe Qeveria aktuale dhe Drejtësia inekzestente e Kosovës të blera e të sunduara nga mafio oligarkët Devolli dhe interesat e kompanive të tjera mafioze e oligarkike të lidhura drejtpërsëdrejti me politikën e kriminalizuar të partive të ashtuquajtura "të dala nga lufta" tash e mbi një dekadë në vend. Duke pasur parasysh faktin se veçanërisht partitë e ashtuquajtura "të dala nga lufta" të cilat njihen si zhvatëset dhe keqpërdorueset më të mëdha të çdo gjëje të vlershme në vend,që në vazhdimësi kanë plaçkitë shtetin dhe keqpërdorur pozitat politike e partiake,si dhe tash e mbi një dekadë refuzojnë me këmbëngulje ç’kapje të shtetit dhe Vettingun në politikë, në gjendjen kaotike në të cilën ato e kanë sjell vendin, Kosova ka nevojë urgjente për formimin sa më parë të një Zyre Kombëtare të Hetimit dhe një Prokurorie Speciale, të përbërë nga prokuror e gjyqtarë me eksperiencë pozitive ligjore, të dëshmuar për paanësi, të pandikuar nga politika dhe që janë zbatues të përpiktë të ligjit.

Një strukturë e specializuar me kuadro profesionale, të përzgjedhur në mënyrë transparente, nën mbikëqyrjen e BE-së dhe SHBA-së, veprimtaria e të cilës do të vihej nën survejimin e rreptë dhe vëzhgimin e vazhdueshëm të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të mund të ndëshkoi paanshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar në të gjitha nivelet në vend, pa futjen e duarve të politikës së kriminalizuar vendore, e cila për pak kohë, do ta devijonte dhe nxirrte nga binarët edhe këtë zyrë. Madje Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet ta kenë rolin kryesor, jo vetëm në dhënien e këshillave dhe udhëzimeve,por në vet ngritjen dhe funksionimin e kësaj Zyreje Kombëtare të Hetimit, të cilat në një periudhë 5 deri dhjetë vjeçare,do të asistonin në përgatitjen e të gjitha dosjeve dhe ngritjen e padive penale të pandikuara nga politika e kriminalizuar vendore. Ndaj në kompetencën e Zyrës Kombëtare për Hetim duhet të inkorporohet e drejta për hetim dhe ngritjen e akuzave penale, që nga presidenti, kryeministri, deputetët, prokuroritë dhe gjykatat, kryetarët e komunave, të gjithë funksionarët pa përjashtim,si dhe drejtuesit e enteve dhe institucioneve qendrore e lokale, deri tek qytetarët e thjeshtë të dyshuar për çfarëdo vepre të mundshme penale, si mënyra e vetme, që vendi të çlirohet nga politikanët mafioz dhe krimi i organizuar.

Nën regjinë e këtyre bajlozëve të zi, që gllabëruan e shkatërruan çdo gjë në këtë vend, që nga dita e hënë, është raportuar për bllokimin e llogarive të Telekomit të Kosovës si pasojë e borxhit ndaj Z-Mobile, bllokim i cili ishte paralajmëruar qysh para disa ditëve edhe nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, megjithëse sipas sqarimit të dhënë nga ai, Telekomi i Kosovës i ka gjashtë muaj afat të paguajë borxhin afro 23 milionë euro ndaj Z-Mobile,por pavarësisht kësaj, politik bërja mafioze, po bënë çdo gjë, që menjëherë,të bllokohen xhirollogaritë e Telekomit. Kështu që vetëm BE dhe SHBA,përfundimisht do të mundësonin Vetingun e shumëpritur kundër të gjithë politikanëve aktual të vendit, kontrollimin e hollësishëm të veprimtarive të tyre korruptive e kriminale, si dhe ligjshmërinë e pasurive të grumbulluara kundërligjshëm nga politikanët e kriminalizuar, do të mundësonin ngritjen e aktakuzave ndaj secilit politikan të dyshimtë dhe dërgimin e padive në gjykata për cilëndo figurë të lartë politike e shtetërore, që gjenden prova, ku edhe gjykimet do duhej të zhvilloheshin nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve, ngase në drejtësinë kosovare, tash e sa kohë,brenda as jashtë vendit, askush më nuk ka fije besimi.

Për aq më tepër, sipas z. Balaj, megjithëse për sqarimin e kësaj çështjeje ishte mbajtur edhe një takim në mes të Ministrisë së Ekonomisë, përfaqësueseve të Telekomit dhe atyre të Z-Mobile, me ç`rast Qeveria dhe Telekomi kanë ofruar 250 mijë euro në muaj si ofertë për marrëveshje, nën yshtjen e politikës së nëntokës kriminale me të cilën është e lidhur këmbë e krye kompania mafio oligarkike Devolli, kjo ofertë as që është pranuar nga Z-Mobile. Madje edhe Gjykata e Apelit, e kapur po nga politikë bërja e kriminalizuar në vend, e ka refuzuar si të pa themeltë ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të shkallës së parë, me të cilën, ishte lënë në fuqi urdhri për caktimin e përmbarimit për një shumë afër 25 milion eurove, megjithëse Gjykata Themelore në Prishtinë, në korrik të këtij viti kishte aprovuar pjesërisht prapësimin e Telekomit të Kosovës, duke shfuqizuar urdhrin e përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha, për caktimin e shumës në lartësi prej 315,996.85 euro. Kundër vendimit të shkallës së parë, ankesë në Apel ka ushtruar Telekomi i Kosovës, për shkak të pretendimeve se shkalla e parë kishte shkelur dispozitat e procedurës përmbarimore dhe kishte zbatuar në mënyrë të gabuar të drejtën materiale, duke i propozuar Apelit që të aprovojë ankesën dhe këtë çështje ta kthej në rivendosje në shkallë të parë. Mirëpo, gjyqtari i kësaj lënde në Apel, njëherësh edhe Kryetar i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, me vendimin e marrë më 8 tetor 2020, e ka refuzuar ankesën e Telekomit si të pabazuar, duke e lënë kështu Telekomin në mëshirën e oligarkëve Devolli.

Kështu që kjo lojë makabre e politikës dhe Drejtësisë Kosovare me Telekomin, është turpi më i madh me të cilin do të ngjyroset edhe Qeveria aktuale dhe Drejtësia inekzistente e Kosovës të blera e të sunduara nga oligarkët Devolli dhe politikanët e lartë të kriminalizuar shtetëror që kanë interesat e tyre në këtë mafio kompani dhe kompani të ngjashme korruptive, kundër të cilave do të mund të vepronte vetëm një Zyrë e Veçantë Kombëtare për Hetime e cila do të ishte në gjendje të ndiqte cilido politikan të inkriminuar dhe të dyshuar për kundërvajtje,tash dhe në të kaluarën, duke i shkarkuar urgjentisht nga postet politike dhe shtetërore në mënyrë që politikanët e inkriminuar të mos kenë mundësi ta keqpërdorin pozitën në favor të vetvetes dhe fitimit të pafajësisë përkundër veprës së kryer korruptive e kriminale, dhe zhvillimit normal të hetimeve për dënimin dhe çuarjen e tyre prapa grilave.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".