Dy ndër vendet më të hapura, Suedia e Austria, shënojnë rekord të rasteve me COVID-19

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 14:46
Dy ndër vendet më të hapura, Suedia e Austria, shënojnë rekord të rasteve me COVID-19

Suedia dhe Austria janë dy shtetet më të fundit të Bashkimit Evropian që shënuan rekorde të rasteve ditore të koronavirusit të mërkurën.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Suedi u regjistruan 1.980 raste të reja, njoftoi Agjencia e Shëndetësisë. Rekordi i mëparshëm u regjistrua javën e kaluar dhe ishte 1.870 të infektuar për një ditë.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe në shtetin skandinav u regjistruan edhe nëntë viktima të reja. Suedia ka qenë në qendër të debatit rreth nevojës për masa kufizuese për shkak të qasjes së saj të dalluar, me masa të lehta e pa izolim.

Megjithatë, ky shtet ka numër disa herë më të lartë të vdekjeve për kokë banori në krahasim me vendet fqinje, por më të ulët se disa shtete të mëdha, si Spanja dhe Britania.

Rekord i rasteve ditore me COVID-19 të mërkurën u shënua edhe në Austri, ku u regjistruan 3.394 raste për 24 orë. Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 22 persona të vdekur.

Më herët u raportua se rekord të rasteve ka shënuar edhe Gjermania, ndërsa Rusia dhe Ukraina shënuan rekord të viktimave për periudhën 24-orëshe.

(Kosova Sot Online)