Trumpi vendos numrin më të vogël të refugjatëve që mund të futen në ShBA vitin e ardhshëm

  • E.K /
  • 28 October 2020 - 15:09
Trumpi vendos numrin më të vogël të refugjatëve që mund të futen në ShBA vitin e ardhshëm

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka caktuar kufirin më të ulët ndonjëherë të numrit maksimal të refugjatëve që mund të futen në Shtetet e Bashkuara vitin e ardhshëm – vetëm 15.000.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e finalizoi planin e tij gjatë natës së kaluar dhe tha se kufiri për vitin fiskal 2021, që filloi këtë muaj, përfshin 6.000 vende të papërdorura nga viti i kaluar, të cilat mund të përdoren, nëse nuk shfrytëzohen për rastet e pandemisë.

Politikani që po kërkon një mandat tjetër në zgjedhjet e 3 nëntorit ka marrë qëndrim të ashpër ndaj migrimit ligjor dhe të paligjshëm. Ai vazhdimisht e ka zvogëluar numrin e refugjatëve të pranuar që nga ardhja në pushtet në fillim të vitit 2017.

Kritikët thonë se Trumpi e ka braktisur rolin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara si “parajsë” për njerëzit e përndjekur dhe se zvogëlimi i numrit të refugjatëve të pranuar i minon qëllimet tjera të politikës së jashtme.

Rivali i Trumpit në zgjedhje, demokrati Joe Biden, është zotuar se do ta rrisë numrin e refugjatëve të pranuar në 125.000 në vit, nëse zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara.

Ndryshe, në vitin 2021 të drejtë aplikimi për strehim në Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë refugjatët nga Somalia, Siria dhe Jemeni, për shkak të rrezikut nga terrorizmi, me përjashtim të rasteve që ngjallin shumë shqetësim në aspektin humanitar.

(Kosova Sot Online)