Vetëvendosje i krahason numrat e viktimave të Covid-19 me ato të luftës

  • E.K /
  • 31 October 2020 - 12:32
Vetëvendosje i krahason numrat e viktimave të Covid-19 me ato të luftës

Partia politike Lëvizja Vetëvendosje, i ka krahasuar shifrat e vdekjeve të shkaktuara nga koronavirusi në Kosovë, me ato të luftës.

Vetëvendosje, nëpërmjet një reagimi në ‘Facebook’, e ka quajtur dështim mënyrën e menaxhimit të Qeverisë Hoti, teksa ka lavdëruar menaxhmentin e asaj Kurti.

Ndër të tjera, VV iu ka bërë thirrje qytetarëve të besojnë në punën e punëtorëve shëndetësorë.

Reagimi i plotë:

Përhapja e koronavirusit në Kosovë u menaxhua aq mirë me Qeverinë Kurti sa përveç se arritëm ditën me zero raste, Kosova u bë shembull botëror për menaxhimin e pandemisë. Kjo falë besimit qytetarë, shtetit të shëndoshë dhe punës së shërbyesve shëndetësorë. Pas rrëzimit të saj dhe votimit të paligjshëm të qeverisë koti, humbi besimi te qeveria. U sëmur shteti. Sistemi shëndetësor u mbingarkua. Numri i vdekjeve i ngjante statistikave të luftës. Kjo gati se nuk solli një katastrofë humanitare me mbi 600 të vdekur, dhe ndodhi në fund të valës së parë kur vendet tjera e kishin vënë në kontroll virusin.

Fillimi i valës së dytë në Kosovë, tani që rastet janë dyfishuar nëpër botë krahasuar me valën e parë, mund të sjell një katastrofë të njëmend humanitare. Rritja e infektimeve me numra treshifror ka filluar tash e dy javë. Vetëm në javën e fundit janë regjistruar mbi 1500 raste të reja me COVID-19, kurse dje u shënua rekord i rasteve të reja në një ditë, 417. Qeveria duket e çorientuar dhe pa ide, tashmë e rrezikshme sa edhe e kotë. Ajo nuk duket të ketë një plan serioz, nëse veç ka ndonjë plan, përpos deklarimeve kontradiktore të njëpasnjëshme të ministrit të Shëndetësisë që rëndom duken si kërcënimeve të kohëpaskohshme ndaj qytetarëve të Republikës. Veprimet e saj janë të ngadalshme dhe të vonshme, kur dihet se forma më e duhur e luftimit të pandemisë është reagimi i shpejtë dhe në kohë. Preokupimi i saj, edhe në kohë të krizës shëndetësore e ekonomike, mbetet kapja e shtetit, punësimet partiake, dhe pasurimi i partnerëve të koalicionit me tenderë milionësh e projekte infrastrukturore miliardshe derisa ndërmarrjet publike si Telekomi e Trepça janë pranë falimentimit

Prandaj, në këtë kohë të vështirë, iu bëjmë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm e të vëmendshëm, të përgatitur e solidar me njëri tjetrin, ashtu edhe siç ju bëjmë thirrje t’iu besojnë dhe të kenë ndjeshmëri për punën e rëndë të punëtorëve të vijës së parë të rrezikut, punëtorët shëndetësorë. Kjo qeveri e paligjshme do të shkojë e shëndeti do t’iu kthehet si qytetarëve ashtu edhe shtetit.

Mbajeni maskën e mbajeni distancën.

(Kosova Sot Online)