Zemaj: Qytetarët tanë nuk e meritojnë mbylljen

  • S.A /
  • 31 October 2020 - 13:24
Zemaj: Qytetarët tanë nuk e meritojnë mbylljen

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas marrjes së vendimeve të reja në koordinim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka thënë se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë mbylljen totale.

Zemaj, nëpërmjet ‘Facebook’-ut të tij, iu ka bërë thirrje qytetarëve për solidaritet dhe bashkëpunim në luftën kundër Covid-19. “Qytetarët tanë nuk e meritojnë mbylljen që dëmton të gjitha fushat e jetës. Pakica nuk guxon ta dëmtojë shumicën me pakujdesi”, ka deklaruar i pari i Shëndetësisë. 

Udhëheqësi i këtij dikasteri ka përmendur edhe rritjen e numrit të testimeve. Vetëm përgjatë ditës së djeshme, Kosova realizoi për herë të parë 1.608 mostra, nga të cilat rezultuan 418 persona pozitiv.

Nga vendimet e reja, të marra pas mbledhjes së Komitetit për parandalimin e pandemisë, Zemaj ka përmendur ndalimin e aktiviteteve të qendrave tregtare nga ora 21:00-05:00.

Tutje, ai ka thënë se do i ndalohet veprimtaria gastronomisë nga ora 21:00-05:00.

Ministri Zemaj ka bërë me dije edhe se universitetet publike dhe private do e zhvillojnë mësimin përmes platformave online.

Gjithashtu, nga vendimet e reja, iu është kufizuar edhe lëvizja personave mbi moshën 65-vjeçare, të cilët kanë të drejtë të dalin nga shtëpia përgjatë orarit 06:00-10:00 dhe 16:00-19:00. Jashta këtij orari, kjo grupmoshë mund të dalë vetëm për nëvoja shëndetësore.

(Kosova Sot Online )