Presidenti Thaçi: Dialogu është i dështuar dhe në favor të Serbisë nëse nuk vendoset në tavolinë njohja reciproke

  • G.G /
  • 02 November 2020 - 11:34
Presidenti Thaçi: Dialogu është i dështuar dhe në favor të Serbisë nëse nuk vendoset në tavolinë njohja reciproke

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se dialogu Kosovë – Serbi ka kuptim vetëm nëse diskutohet njohja reciproke, në të kundërtën, ai thotë se dialogu është i dështuar.

Thaçi tha se dialogu është i dështuar dhe në favor të Serbisë, nëse në tavolinë nuk diskutohet njohja reciproke.

“E kam theksuar edhe më herët, ky dialog ka vetëm një kuptim, nëse propozimi për njohje reciproke hidhet në tavolinë, përndryshe është krejt i pakuptimtë, krejt i panevojshëm dhe është i dështuar dhe në favor të Serbisë, si i tillë si po zhvillohet”, deklaroi Thaçi.

Dialogu Kosovë – Serbi ka rinisur pas bllokimit që kishte bërë Serbia për shkak të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Adociacioni është temë e mbyllur.

Ndërkohë, kjo formë e dialogut nuk po i pëlqen as kreut të LDK’së, Isa Mustafës.

“Me sjelljet e Serbisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

(Kosova Sot Online)