Sejdiu- kardiokirurgëve: Mos e rrezikoni jetën e pacientëve në interes të një personi

  • E.K /
  • 02 November 2020 - 16:08
 Sejdiu- kardiokirurgëve: Mos e rrezikoni jetën e pacientëve në interes të një personi

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Dr. Pleurat Sejdiu, iu ka bërë thirrje specialistëve në Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive, që të punojnë në interes të pacientëve e jo të individëve.

Kjo thirrje e Sejdiut vjen pas publikimit të një reagimi nga kjo klinikë, ku thuhej se do të sabotohet puna deri në rikthimin në punë të ish-drejtorit Tefik Bekteshi, i cili u pezullua nga Komisioni Disiplinor për shkak të parregullësive të gjetura nga auditori i brendshëm.

“Bëjmë apel tek kolegët tanë nga Kardiokirurgjia dhe Kardiologjia Invazive që të mos veprojnë në kundërshtim me Kodin e Etikës profesionale. Ne si profesionistë iu shërbejmë pacientëve duke u bazuar në betimin tonë të hipokratit dhe nuk i shërbejmë udhëheqësve dhe drejtuesve të institucioneve”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai ka thënë se është e papranueshme që mjekët të rrezikojnë jetën e pacientëve, në interes të një personi.

“Aq më tepër, është e papranueshme që të pësojë ose të rrezikojmë jetën e pacientëve, duke sabotuar punën në interes të një personi. Poashtu jemi në kohë pandemie dhe në kushte të gjendjes emërgjente të shëndetit publik, andaj iu bëj thirrje specialistëve që t’i rikthehen punës dhe normalitetit dhe të mos përballen me pasoja juridike”, ka deklaruar Sejdiu. 

(Kosova Sot Online)